Durrës, 20 gusht 2014 – Në kampin durrsak mbizotron atmosfera optimiste, ku të gjithë kanë besim tek një rezultat pozitiv ndaj Flamurtarit në fundjavë. Mesfushori Ansi Nika analizon situatën e skuadrës në vigjilje të kampionatit dhe e vendos gishtin tek sfida e ardhshme.
"Skuadra po përgatitet intesivisht dhe po punon me nga dy seanca stërvitore, paradite dhe pasdite. Mendoj se kemi zhvilluar një fazë përgatitore mjaftë të mirë, e cila na ka sjellë në formë shumë, shumë të mirë. Shpresojmë që puna e deritanishme të ndikojë pozitivisht në përballjen e parë të sezonit, duke besuar tek një rezultat pozitiv. Gjendja e skuadrës në prag të fillimit të kampionatit duket shumë mirë dhe lojtarët janë përshtatur dhe, e njohin tashmë lojën e njëri-tjetrit. Aktualisht jemi duke punuar me detajet e fundit dhe do të jemi gati në fundjavë", u shpreh fillimisht Nika.
Mesfushori shpreson se skuadra e tij do të kthehet me një rezultat pozitiv nga Vlora. Nikën nuk e tremb aspak kundërshtari ndërsa deklaron se do të jap maksimumin, në mënyrë që skuadra e tij të kthehet triumfatore në Durrës.
"Flamurtari është një skuadër e cila ka zhvilluar një merkato shumë të mirë dhe është përforcuar shumë, por ky fakt ne nuk na tremb. Ne do të shkojmë në Vlorë për të dhënë më të mirën tonë dhe do përpiqemi të marim maksimumin në sfidën e parë të sezonit. Personalisht ndihem mirë dhe do përpiqem të shënoj. Do të jetë një ndeshje emocionuese, por ne do të japim maksimumin në fushën e lojës", u shpreh Nika.
Nën drejtimin e teknikut Lika skuadra e Teutës po përgatitet me intesitet. Skuadra po zhvillon aktualisht nga dy seanca stëvitore në ditë; paradite dhe pasdite. Situata në kampin durrsak duket e qetë, ndërsa pritet rikthimi i mesfushorëve: Hodos, Cyrbjes dhe Beqjas, të cilët vuajnë pasojat e dëmtimeve. Sakaq, pjesa tjetër e skuadrës ndihet mirë dhe e gatshmë për sfidën e parë të sezonit, ku shpresojnë të marrin një rezultat pozitiv përballe vlonjatëve.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





