Durrës, 6 gusht 2014 – Teuta synon të jetë surpriza e këtij sezoni. Në kampin durrsak mbizotëron një atmosferë tejet optimiste, madje të gjithë besojnë se mund të fitojnë trofe. Duke i bërë një analizë situatës aktuale, mesfushori Ansi Nika thekson se Teuta do të surprizojë të gjithë skeptikët me paraqitjen e saj.
“Nuk ndihemi inferiorë përballë asnjë kundërshtari, pavarësisht përforcimeve të shumta që disa prej tyre kanë bërë gjatë merkatos verore. Ne kemi një grup mjaft cilësor, i cili është koshient për vështirësitë që do të ketë ky sezon, por prapë kemi besim se do t’ia dalim mbanë. Shumëkush mund të na konsiderojë si skuadër jo pretendente, por do t’u tregojmë se e kanë shumë gabim. Skuadra po ushtrohet intensivisht në disa drejtime dhe shumë shpejt do të jetë gati për sezonin e ri futbollistik. Zhvilluam një fazë përgatitore të shkëlqyer në Austri dhe tashmë po punojmë me detajet e fundit të përgatitjeve. Të gjithë janë gati dhe me besim të madh në vetvete, ndërsa presim me padurim të zbresim në fushë ku do të japim maksimumin”, u shpreh Nika.
Sipas tij, skuadra po përgatitet intensivisht dhe do të jetë gati për sezonin e ri.
“Jemi një grup shumë i mirë dhe kemi besim se do të ecim shumë lart përgjatë këtij sezoni. Gjithçka po ecën sipas parashikimit. Përgjatë këtyre dy sezoneve të fundit kemi qenë shumë afër titullit, por nuk ia kemi dalë mbanë. Edhe këtë sezon Teuta do të jetë skuadër pretendente dhe ndër më të mirat e Superiores. Kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës dhe tashmë jemi më të kujdesshëm. Do të përfitojmë nga çdo rrethanë, për ta ngjitur sa më lart emrin e kësaj skuadre. Unë dhe shokët e skuadrës kemi besim te forca e grupit dhe do të japim maksimumin për të arritur objektivat. Do të jetë shumë e vështirë, pasi këtë sezon gjërat do të jenë më të vështira, megjithatë ne do të jemi sërish pretendentë”.
Pak e nga pak Teuta po kompletohet. Pas afrimit të qendërmbrojtësit Erand Hoxha, ish-kapiten i Besës, pritet afrimi i senegalezit Kasim Sumare. Mbrojtësi i majtë 22-vjeçar do të kompletonte repartin e ofensivës, ku së bashku me E. Hoxhën, R, Hoxhën etj., do të formojnë një mbrojtje të hekurt. Lojtari i Kombëtares së Senegalit mendohet të jetë një përforcim i madh për skuadrën e Teutës, e cila pret të afrojë edhe lojtarë të tjerë. Gjithsesi, asgjë nuk është zyrtare dhe gjithçka pritet të vendoset së shpejti. Futbollisti pritet që t’i bashkohet skuadrës, megjithatë ende nuk ka një njoftim zyrtar për ardhjen e tij në Durrës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





