FIER– “Nikita”, vajza 27 vjeçe që e gjeti veten në faqet e para të gazetave pas akuzave për 7 grabitje me armë e maskë, vijon të mohojë autorësinë.
Siç raporton gazeta “Panorama”, pasuria e të atit mbetet alibia më e fortë e Enkeleda Merkës, arsye kjo sipas së cilës ajo nuk kishte pse të grabiste. Por nga ana tjetër, Prokuroria e Fierit pohon se ka prova të mjaftueshme për të akuzuar të arrestuarën për vjedhje me anë të kërcënimit të disa grave e vajzave në qytetin e Fierit.
Duke argumentuar provat, të cilat sipas hetimorëve janë të mjaftueshme, ata nuk janë ende në gjendje të përcaktojnë nëse kanë të bëjnë me ndonjë formë të asaj që quhet kleptomania, (paaftësi e individit për t’i rezistuar impulsit për të vjedhur objekte për të cilat ai nuk ka asnjë lloj nevoje), si dhe nuk konfirmojnë nëse dosjes do t’i bashkëngjitet edhe një raport i psikiatrit për të vërtetuar nëse veprimet e 27-vjeçares kanë të bëjnë me një patologji të mundshme.
Nesër pritet që 27- vjeçarja të dalë para togave të zeza, ku do të ballafaqohet me provat, siç është një pistoletë e cila rezultoi të ishte lodër, një kapuç që sipas të dëmtuarve përdorej për grabitjen, si dhe një palë doreza.





