Nga Gëzim KABASHI
Dhjetra shokë, miq, bashkëqytetarë dhe sportistë përcollën sot në banesën e fundit Niko Kurani, një nga personalitetet e sportit të notit, përfaqësues kampion i Durrësit në veprimtaritë kombëtare.
Ky shkrim i botuar në vitin 2013, tashmë është pjesë e librit me titull “Rrëfimet e një qyteti” të gazetarit Gëzim Kabashi.
Kampioni i ujit*
Niko Kurani është një nga emrat më të shquar të notimit shqiptar. 20 vjet në konkurim si notar dhe 20 të tjera si trajner i ekipeve locale dhe kombëtare e bëjnë Nikon, një nga njerëzit e respektuar të Durrësit, të cilit ai i kushton të gjitha arritjet e tij në vite.
“Durrësi dhe notarët veteranë kanë qenë burimet tona të frymëzimit-thotë Kurani gjatë një interviste. E kërkonim vendin e parë në gara për qytetin tonë; e donim atë edhe për të nderuar notarët e parë të qytetit”.
Niko Kurani më 2 nëntor do të festojë 73-vjetorin e lindjes. Kolegët e tij sportistë po përgatiten për festën ashtu siç e kanë traditë notarët veteranë me Mirban Kadiun në krye, këtë herë edhe me Tom Fishtën.
Duke biseduar së bashku kujtojmë hapat e parë të kampionit të viteve 1950-1960.
Në atë kohë në Durrës funksiononin shoqatat sportive “Puna”, “Spartaku” e “Dinamo” dhe sportistët zhvillonin shumë herë gara mes tyre para kampionateve kombëtare.
Çe kanë traditë notarët veteranë me Mirban Kadiun në krye, këtë herë edhe me Tom Fishtën.
Duke biseduar së bashku kujtojmë hapat e parë të kampionit të viteve 1950-1960.
Në atë kohë në Durrës funksiononin shoqatat sportive “Puna”, “Spartaku” e “Dinamo” dhe sportistët zhvillonin shumë herë gara mes tyre para kampionateve kombëtare.
“Isha 12 vjeç kur jam hedhur në garën e parë zyrtare të jetës sime-kujton Niko, i cili ishte përzgjedhur nga trajneri Mustafa Çelkupa, një nga figurat e nderuara të sportit në Durrës.
“Pishina” e viteve 1950 ishte sajuar në port, mes dy anijeve austriake, të cilat ishin mbytur që në luftën e parë botërore. Fati kishte dashur që distanca mes tyre të ishte fiks 50 metra dhe litarët e zadrave lidheshin mes dy mjeteve lundruese.
Kurani ka konkuruar për herë të parë në 100 metra stil i lirë dhe është renditur i dyti pas Kastriot Karamuços.
Pas kësaj Niko Kurani ka garuar thuajse përherë në 200 metra stil I lirë. Pranë bashkëmoshatarëve Karamuço, Kurani e Agron Ismailati në atë periudhë u afrua një pikë referimi e rëndësishme për të rinjtë: Sul Tufa, vaterpolist, notar dhe muzikant i mirë.
E ardhmja e Kuranit të ri dukej e sigurtë. Në moshën 15-vjeçare ai konkuron në kampionatet e të rriturve, ndërsa në vitin 1957 arrin normat e “Mjeshtrit të sportit”.
Po cilat janë majat e arritura nga Mjeshtri durrsak?
“Viti 1962 ka qenë i veçantë për mua. Në kampionatin kombëtar arrita të fitoj 5 vende të para, tre në stafetat ekipore si dhe në garat 400 metra katërnotim dhe 200 metra stil i lirë”. Me qetësinë që e karakterizon Niko Kurani tregon disa nga momentet më të bukura të karrierës së tij sportive, ku spikat rivaliteti me notarët shkodranë.
Trajneri Tufa i kërkon Kuranit të marrë pjesë në garën 100 metra stil i lirë, që ishte specialiteti i Karamuços. Ky i fundit gjithashtu, në gjëndje jo të mirë fizike i kërkon mbështetje shokut të tij.
Niko Kurani fiton një garë “in extremis”, ndërsa rivali shkodran Menduh Lishi ruante në korsinë tjetër kampionin Karamuço, i cili doli i treti. Në të njejtën mënyrë kampioni Kurani fiton edhe në segmentin e fundit të garës 4 x 100 metra stil I lirë.
Durrësi ishte shpallur kampion përsëri.
“Ishte njëlloj si të fitonte Taq Dafa i viteve të luftës, apo mjeshtri i shquar Sabri Kapexhiu-shprehet me respekt Niko.
Niko Kurani hedh hapat e parë si trajner në vitin 1965, atëherë kur siç kujton ai, trajneri tjetër i ri i gjimnastikës, Tomorr Fishta ndan përgjysëm palestrën me kolegun e tij notar.
Kampioni durrsak vazhdon të notojë në gara kombëtare deri në vitin 1972, atëherë kur kampionatet dhe kupat organizoheshin në pjesën ujore të kalatës 0 në portin detar. Ishin vitet kur mes garave hedhësit nga trampolina shfrytëzonin Bigën Lundruese ose bashin e anijeve 20-mijë tonëshe për të fluturuar mbi ujë.
Trajneri Kurani dhe notarët kampionë
Kurani fillon ti stërvisë notarët e tij në pishinën e sapondërtuar të Durrësit. Megjithëse ishte një sport veror noti kishte mjaft adhurues dhe në garat vinin shumë gra e vajza. Njëlloj shkonin gjatë dimrit edhe në ndeshjet e basketbollit në parkun sportiv “Nako Spiro”.
Rezultatet e notarëve të rinj filluan të ndjeheshin. Niko Korani kujton me nostalgji sportistët që ka përgatitur dhe që janë shpallur kampionë ndër vite.
“Petrit Guma, Edmond Hasa, Luan Rexha, Gentjana Bleta apo Yllka Kodra janë një pjesë e tyre.
Notarët shqiptarë në vitet 1973 dhe 1975 thyen më shumë se 100 rekorde kombëtare.
“Rezultatet u arritën në Kinë, ku qëndruam 6 muaj gjithsej-tregon Niko Korani, i cili në atë periudhë ishte trajner i ekipit tonë kombëtar. Kushtet e mira dhe metodat bashkëkohore u bënë shkak për rekordet e shumta të vajzave dhe djemve tanë shumë të talentuar.
Karriera afro 40-vjeçare e Niko Kuranit ka përfunduar në vitin 1989.
I nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër I merituar I sportit” kampioni durrsak kishte arritur në majat e sportit shqiptar, duke sakrifikuar shumë nga koha dhe familja e tij.
Axhustator mekanik në Uzinën mekanike bujqësore UMB në Shkozet, për shumë kohë edhe brigadier në një nga repartet e saj, Niko duhet të përballej fillimisht me punën, pastaj të niste “betejën” me ujin.
“Asgjë nuk arrihet pa sakrifica-është deviza e kampionit. Në rastin tim ka sakrifikuar jo pak edhe familja-shton Niko, i cili thotë se pa mbështetjen e bashkëshortes së tij, Verushe Myshketa, do të kishte qenë e vështirë.
“Verushja ishte sportiste, kampione në ping-pong dhe mbi të gjitha ishte tifozja ime nr 1. Kjo e ka bërë më të lehtë sakrificën time-vlerëson kampioni Niko Kurani.
Kurani: Bashkia të ndërtojë pishinën e mbyllur
Dita e Niko Kuranit nis në Currila, thuajse në të njejtin vend ku për vite me radhë bëheshin stërvitjet e ekipeve të notit. Zadrat prej druri me distancë 50 metra nuk janë më, ndërsa Niko po i drejtohet 73 vjetëve.
Pavarsisht nga ditëlindja në pasaportë çdo mëngjes me një grup miqsh e shokësh moshatarë ai “bie në ujë”, siç themi në durrsakët dhe noton rregullisht.
“Nuk jam vetëm. Çdo mëngjes apo pasdite në Currila bëjnë not edhe Luan Rexha, Murat Gjuzi, Zeqir Taga e Lefter Lulo. Edhe xha Hulusiu bie në ujë e noton, megjithëse është jo pak, po 93 vjeç“.
I ke zili këta njerëz, të cilët çdo ditë dalin në palestrën e madhe e të hapur, siç e quan Niko detin, dhe e fillojnë ditën ndryshe nga të tjerët.
Është kënaqësi ti dëgjosh edhe kur flasin për prindët e tyre, që nuk janë më. Bashkë me Luan Rexhën, kemi qenë për vite me radhë komshinj me Nikon, në rrugën përballë poliklinikës qendrore.
Kujtojmë mirë të jatin, Bim Kurani, ish-student në shkollën amerikane të Fultzit, e më pas vullnetar në brigadat e Luftës së Spanjës. Kujtojmë nënën e Nikos, Luanit e Skënderit, zonjën spanjolle Karmen.
Kujtojmë edhe shtëpinë gjysëm të rrënuar ku jetuan për shumë vite, pasi i jati shihej me sy jo të mirë nga diktatura.
“Edhe mbiemri i familjes Kurani vjen nga lidhja që kanë me besimin Bektashi, ndërsa shumë bashkëqytetarë nuk e dijnë që Niko në pasaportë njihet me emrin Ahmet – tregon Adem Gjepali, një shok mjaft i afërt me kampionin tonë.
“Gjërat kanë ndryshuar, por sidoqoftë sakrifica mbetet e para. Sporti dhe rezultatet e larta kërkojnë sakrifica-shprehet kampioni Kurani.
“Kuptohet që duhen edhe kushtet. Mesa di notarët dalin për të kërkuar pishina private gjithë dimrit. Nuk është e drejtë. Bashkia duhet të mendojë për të ndërtuar një pishinë të mbyllur. Djemtë e vajzat që notojnë duhen mbështetur”.
*Marrë nga libri “Rrëfimet e një qyteti” i gazetarit Gëzim Kabashi





