Nga Shpëtim Kodra

Njeriu i qetë, i thjeshtë, pa pretendime, por që mbarti me vete një thellësi që vetëm jeta e vërtetë mund ta gdhendë. Nikoja, të cilit i dhamë lamtumirën e fundit, ishte një prej njerëzve të rrallë. Ishte Mjeshtër i Madh i sportit në not, jo thjesht për shkak të teknikës, stilit të bukur, ose medaljeve që do t`i mbulonin gjoksin, por sepse, sa herë që futej në ujë, harronte botën dhe i kujtonte botës se, kur bashkohen pasioni, talenti dhe këmbëngulja, ndodh mrekullia.

Luftëtar në Spanjë më 1936 ishte i ati, Ibrahimi. Luftëtar i heshtur kundër goditjeve të fatit në jetë ishte edhe Nikoja. Një nënë e dashur dhe aq e ndjeshme ishte e ëma spanjolle, Karmeni. Një kombinim i përsosur i dy qytetërimeve në dy emrat e kampionit durrsak e kombëtar: Ahmet dhe Niko. Një familje e veçantë talentesh sportive. Nikoja i shquar në një brez notarësh të njohur, në garë e në trajnim, i kanë përmendur e përshkruar bukur gazetarët. Nuk i harroj ato emocione e drithërima që provonim, kur notarët durrsakë na dhuronin rekorde. Rekordin e parë Nikoja e theu më 1962.

Në gjysmë shekulli notar e trainer, kampion e rekordmen. Kishte dy vëllezërit e tij notarë. Djali i tij Arbeni, i bukur, i shkathët, inteligjent e kurajoz, kampion me të rinjtë në not, në 100, 200 e 400 m. stil i lirë. Bashkëshortja e mrekullueshme e Nikos, Verushja, nxënëse e dalluar, shoqe e klasës sime në gjimnaz. Studente dhe mësuese e përkushtuar. Kampione në pingpong, rivale me motrat e veta Lejlanë e Teutën, edhe ato kampione. Verushja bënte tifo për dy notarët. Babë e bir bënin tifo për pingpongisten. Një shfaqje e lumturisë së shenjtë familjare.

Por jeta nuk i dha vetëm dritë. Fati që shpesh nuk i përzgjedh njerëzit sipas vlerës, i trazoi vitet e Nikos, si stuhitë që rrëzojnë edhe pemët e forta. Arbenin, djalin e vetëm e të shtrenjtë, dora e zezë e mizore, e këputi në moshën 26-vjeçare. Vdekja tragjike ua ndërpreu lumturinë. Goditja fatale ua tronditi krejt qenien prindërve të tij. Në sfidën e dramës së vuajtjeve pa shërim, Verushja që e kishte mbushur dhomën me fotot e Benit, jetoi vitet e fundit vetëm me kujtimin e tij. Ajo, natyrë aq e dashur në jetë dhe që rrezatoi vetëm mirësi, nuk e përballoi dot dhimbjen aq të rëndë, për një nënë si ajo dhe u nda nga jeta më 2019.

Por Nikoja nuk e humbi drejtëpeshimin. Dhimbja e shndërroi në një kujtim të butë e të paharruar, në një heshtje që flet më shumë se britma. Me dy plagë të thella shpirtërore në zemër, ai nuk ra. Njeriu i vërtetë nuk e humbet dinjitetin përballë vuajtjeve të mëdha. Ai ishte i rrallë si njeri. I tillë do të mbetet edhe në kujtesën e atyre që e kanë njohur, por edhe në mendjen e mikut të tij aq të dashur e të afërt, aktorit të njohur të humorit durrsak Adem Gjepali. Ai e shoqëronte Nikon në shëtitjen e mëngjesit, në këmbë, nga shtëpia deri në Currila, ku pinin kafe dhe në kohë të mirë bënin not.

Duke e pasur shtëpinë në breg të detit, i takoja shpesh. Gjithnjë ndalonin të dy dhe Nikoja pyetjen e parë ma drejtonte për djemtë e mi e familjet e tyre. Ai e dinte që edhe ata nuk do ta harronin kurrë Nikon dhe atë kohë, kur ai vinte në shtëpinë tonë. Baxhanakun e tij, vëllanë tim Bedriun, e takonte shpesh. Bedriu kishte luajtur futboll me ekipin kampion të të rinjve të Durrësit. I binte trombës. Ishte marrë edhe me not. Nikoja e pëlqente humorin e Bedriut, ku shpesh përfshiheshim edhe ne.

Nikoja ishte shumë i dashur për fëmijët, nipërit e mbesat e familjeve Myshketa, Kodra, Shehu etj. Kur shkonim në një gji të Porto Romanos, Nikoja ua hiqte frikën duke i hedhur në ujin e thellë e ua mësonte shumë shpejt notin. Ai ka përgatitur Mjeshtra të Mëdhenj si Petrit Guma, por trajnoi edhe djalin e Bedriut, Artorin, si dhe Yllkën, të cilën e bëri kampione në garat e gjata në not.

Thjeshtësia, modestia, mirësia e tij janë gdhendur në kujtesën e durrsakëve. I admirueshëm për karakterin dhe integritetin e tij. Mjaft i këndshëm në biseda, ku shpaloste njohuritë dhe kulturën e tij. Fisnikëria e tij shfaqej në sjellje e në qëndrime. Asnjëherë nuk e mbaj mend të ngrinte zërin a të revoltohej. Gjakftohtësia, maturia e dallonin dhe e ndihmonin atë njeri të rrallë, që rrezatonte mirësjellje, humanizëm e optimizëm.

Në jetën dhe me aktivitetin e tij la gjurmë qytetarie e ndershmërie. E nderoi Durrësin, por edhe durrsakët e quajnë “Qytetar nderi”.