Nga BUJAR QESJA
Lapsi im gërrmon në histori dhe inshallah mbetet pjesë sado minimale e saj. Kjo mund të ndodh, duke kapur në rrjetën e mendimit, gjahun e fakteve e sjell rrëfimin real dhe me ngacmime shpirtërore. Me 23 shkurt 2024, ishte ditë morti. Niko Profkola kalorësi fluturues i koshit, u vendos në altarin e kujtesës. Është si të gjithë të tjerët në banesën e fundit, por jo si gjithë të tjerët në përmasat e kujtesës. Profkola mbiemër me ngarkesë të madhe emocionale, ku janë vendosur si në muzeum, dosjet e arta të basketbollit durrsak.
U luftua shumë, u sulmua shumë, ia dëmtonin karierën, ia sfumonin të artin talent, por nuk ia dolën t’i ndalonin famën, raportin me njerëzit, të cilët nuk iu trëmbën politikës dhe i çmuan simbolit të tyre, fuqinë e artit mahnitës deri në mos-harresë. Shkruajta për Nikon. Lotova për Nikon, por mora shumë kurajo nga qendresa e tij, ku identiteti i fuqishëm i mjeshtërisë së tij të pakrahasueshme, i vendosi njerëzit në fronin e kënaqësisë absolute.
Profkola u bë i shenjtë në moralin dhe epërsinë shpirtërore të durrsakëve, teksa mbroheshin nga virtuoziteti dhe fenomeni i rrallë i basketbollit. Zor se mund t’i dalë Durrësit një fuqi e tillë sportive dhe zor se mund të çfaqet sërish një tifozëri e tillë e pashembullt durrsake, si ajo e viteve 70-të.
Niko Profkola me natyrën e pazakontë të basketbollit improvizues, herë lozonjar, e herë shpërthyes si llava e vullkanit, i dha histori ekipit të “Studentit”. Kur shkoi të studionte “Partizani”, “Tirana” dhe “Dinamo” vrapuan ta bënin pjesë të tyre. Dhe ku asnjëra prej tyre nuk mundi, “Studenti” shtriu modestisht “pronësinë”, ndaj harlemit durrsak me emrin emblematik Nikolla Profkola.
Rektori i Universitetit, njeriu madhështor Kahremn Ylli e trajtoi Profkolën si zëvëndës rektor. E mbajti afër, pasi fama që mund t’i jepte ekipit të “Studentit”, ishte vetë fama e Universitetit të Tiranës. Fillimi i viteve 70-të, lindi fuqinë e re të basketbollit, që ishte ekipi i Universitetit të Tiranës apo “Studenti”.
Niko Profkola padyshim ishte mbreti i këtij basketbolli, që do të mbretëronte duke mbajtur afër princa të tjera me fuqi talenti si durrsakët Vladimir Agaraj, Luigj Kalebota, Nysret Reka, Pavli Jorgoni dhe korçarët Zhano Zengo, Gjergj Ikonomi (Keno), Fatos Bitincka dhe Andrea Andoni.
Fotoja të cilën ia përcjellim opinionit dhe lexuesit, i fikson emrat e tyre dhe historinë që bënë, kur u kthyen në kushtrim dhe nxitje për mijrat e studentëve të Universitetit të Tiranës. Binomi Profkola –Studenti, kthehet në trinom me trajnerin, simpatikun, pedagogun e kulturës fizike në Faklultetin e Arteve Jorgji Baho, apo Xhoxhi Baho. Çfarë “Studenti” ishte ky!
Nuk është qëllimi të flas për rezultate teknike, se sa për famën që i krijoi ky trinom dhe e bëri me emër basketbollin e Universitetit të Tiranës. Basketbollistë të rinj, ëndërrimtar, të shkëlqyer në mësime, por pikë referimi për rininë studentore, bënë atë që “Studenti”, të kujtohet e të mbetet vitrinë tërheqëse e memories.
Gërrmuam për jetën e Xhoxhi Bahos, këtij mjeshtëri të trajnimit, por shumë origjinal në drejtim.U ndesh me ekipet e Agim Fagut, Vaso Shakës, Nysret Rekës, Renato Radojës, Viktor Papavangjelit, vëllezërve Isak, Ferdinant Qiricit dhe nënshkruan faqet më të bukura, me fuqinë e artit të tyre të lojës zbavitëse dhe argëtuese për shikuesit. Dhe ky Xhoxhi Baho ishte nxitësi i kësaj loje, frmëzuesi dhe mbështetësi, duke u vendosur me autoritet në këtë histori dhe traditë të vyer.
Jorgji Baho është lindur në Tiranë me 18 shkurt 1940 dhe me shumë dhimbje mësova, që është ndarë nga jeta me 30 nëntor 2021 në Nju Jork, në vendin më demokrati në botë, në Amerikën e ëndërrave dhe mirqenies.
Profkola-Studenti-Xhoxhi Baho, partiturat elektrizuese të basketbollit të Universitetit të Tiranës, që vazhdojnë edhe kësaj dite muzikën tërheqëse të intrepretuar me instrumentët e talentit të një brezi unikal.
E Profkola që është i tëri i yni, mbetet dirigjenti i orkestrës gjithnjë të artë të basketbollit. Janë ata, që përfaqësuan basketbollin e studentëve, zemrës së rinisë shqiptare.
Bujar Qesja
Durrës: 27 shkurt 2024
Foto 1 : Në këmbë nga e majta: Zhani Zengo, Gjergj (Keno) Ikonomi, Niko Profkola, Luigj Kalebota, Vladimir Agaraj. Në gjunjë nga e majta: Fatos Bitincka dhe Andrea Andoni. Viti 1971.
Foto 2 : Të mëdhenjtë e basketbollit shqiptar, nga e majta Agim Fagu dhe Niko Profkola. Viti 2012.
Foto 3 dhe 4: Trajneri i Studentit Xhoxhi Baho kur drejtonte “Studentin”dhe në muajt e fundit të jetës në Nju Jork.