Eshtë përgjegjësi e madhe të marrësh përsipër të flasësh për jetën e dikujt… e për më tepër kur ky është një artist i madh dhe mbi të gjitha një njeri për të cilin është thënë pak… e do duheshin qindra fletë për të hedhur në letër jetën e Nikolet Vasisë.
M'u desh patjetër ndihma e zysh Shpresës… ashtu jam mësuar t'a thërras që në vogëli. Ajo është Shpresa Beqiri, artistja dhe gruaja me të cilën ndau vitet e fundit të jetës profesor Nikolet Vasia.
Para pak javësh u nda nga jeta si pasojë e një sëmundjeje të keqe që i la pa mbaruar pikturën që gjendet ende në kavalet, ëndrrat që mbetën në sirtar dhe lumturinë që dëshironte të jetonte në krahët e gruas së tij dhe njëkohësisht mikeshës, artistes dhe muzës së tij Shpresa Beqirit, e cila me shumë dashuri flet për jetën e Nikoletit… dhe tregon me dhimbje e me shumë dashuri një Nikolet që mbase pak e njohën si ajo.
U lind në Durrës më 28 maj1947 dhe që në vitet e para të jetës i'u desh të përballej me fatin e familjes së tij që e detyruan të jetonte larg prindërve të ndarë për shkak të sistemit, fat ky që e çoi Nikoletin 5-vjecar në Shkodër, ku jetoi tek nëna e tij e cila rridhte nga gjaku i Idromenëve.
“Geni i Idromenos, dajës së mamasë time, rrjedh në dejet e mia. Jetova në shtëpinë e Idromenos, pasi ai duke mos pasur fëmijë, kishte mbajtur pranë nipërit e tij. Në muret e sallonit të bukur të ngrënies ishin të gjitha ato punë që sot janë në Galerinë e Arteve, përveç ‘Motrës Tone’. Idromeno kishte vdekur, po prania e tij në shtëpi ishte e dukshme. Ky ishte kontakti im i parë me pikturën”. Është kjo pjesë e një rrëfimi të Vasisë para pak vitesh.
Dashuria për artin u ngjiz për t'u bërë më pas ADN-ja e tij. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1966 deri në vitin 1970, ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku u diplomua për pikturë. Nga viti 1970-1984 punoi si piktor dhe skicograf pranë Muzeut Arkeologjik Durrës, në riprodhimin e vazove antike me pikturim dhe reliev arkeologjik. Realizon dokumentacionin figurativ të objekteve muzeale dhe gërmimeve. Në ato vite ka realizuar mbi 15000 vizatime dhe secili nga vizatimet ovale të vazove, përveçse vështirësisë në realizim, mbeten kryevepra në llojin e tyre sepse janë realizuar me figurina shumë të vogla dhe mjeshtërisht të vizatuara në detaje. Do ishte mirë që Durrësi të kishte një katalog me vizatimet e atyre terrakoteve dhe hapjen e vazove. Është bërë një sesion shkencor për terrakotet e Muzeut të Durrësit me vizatimet e kryera nga mjeshtri Vasia nga arkeologë shqiptarë dhe francezë të Universitetit të Lionit. Gjithashtu ka dokumentuar me preçizion dhe me vlera artistike të gjitha gjetjet arkeologjike, që nga monedhat e para të qytetit të Durrësit deri tek ato të periudhës bizantine të zbuluara në Amfiteatrin antik. Këtë punë mund t'a bënte vetëm Nikoleti, ndaj kolegët dhe miqtë e tij shprehnin habi për përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe profesionalizmin e lartë.
Për Nikolet Vasian nuk është e mundur t'i shkruash të gjitha, sepse pati krijmtarinë e tij të shtrirë në 45 vjet, e ka të plotësuar në të gjitha gjinitë e artit figurativ si pikturë, skulpturë, grafikë, mozaik, pikturë murale, skenografi, deri në ilustrimin e realizmin e pullave filatelike, duke bërë kështu që të jetë një artist absolut dhe i jashtëzakonshëm.
Stema e bashkisë dhe flamuri i Durrësit është realizuar nga Nikolet Vasia , i cili me anën e simboleve shpreh momente të rëndësishme të zhvillimit historik të qytetit: Anija Liburne, Muri Rrethues i kohës së Perandor AnastasitI dhe Luani i stemës së Karl Topisë (që i dha pavarësi politike qytetit të Durrësit) janë elementë që vetëm ai dinte t'i gërshetonte me aq mjeshtri, sepse Nikoleti ishte një njohës mjaft i mirë i historisë dhe në veçanti historinë e artit, që ishte edhe e preferuara e tij.
Kurrsesi miqtë e tij nuk mund të harrojnë sesi ai, vetëm duke parë një fragment prej një centimetri katror, arrinte të njihte një vepër e të fliste më pas për orë të tëra për autorin, zhanrin dhe epokën kujt i përkiste, madje edhe për detaje të vogla të punës, deri në përmasa e hollësi të tjera që të linin pa mend.
Dukej sikur ai e njihte historinë më mirë se historia.
Kryesisht Nikoleti ka trajtuar tema historike apo dhe elementë të kulturës sonë, ai nuk shkëputej nga tradita dhe dinte t'a gërshetonte në mënyrë të jashtëzakonshme me teknikën dhe stilizimet moderne.
Disa nga punët që i kanë dhënë emër që në moshë të re janë “Rreth flamurit të bashkuar”, “Posta shqiptare 1912” , “Kuvendi i burrave”, “Tek arbëreshët”, “Familja fshatare”, etj., të gjitha këto piktura në vaj. Kompozime dimensionale në mozaik dhe vitrazh në Muzeun e Skënderbeut në Krujë me temë “Kushtrimi” dhe“Tradita”.Pikturat murale në ambiente të ndryshme të qytetit si “Pena shqiptare”, “Lojrat e fëmijëve”dhe “Pranvera”. Shquhet gjithashtu edhe në realizmin e portreteve si ato historike, “Shote Galica”, që ruhen me shumicë si në galerinë e qytetit të Durrësit dhe tek koleksionistët privatë.
Shpresa Beqiri më tregon në bllok inventar të punëve që Nikoleti ka dhuruar, dhe aty është me saktësi emri i çdo përfituesi e blerësi, dimensionet dhe titulli i çdo tabloje deri në vitet 1990: janë plot 3000 vepra të dhuruara të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Eshtë një punë kolosale të mendosh që sot ka artistë që gjatë gjithë jetës së tyre nuk arrijnë të realizojnë 300 punë. Ky ishte Nikoleti… ai i dhuronte punët sepse për nga natyra nuk mendonte që artin dhe talentin e tij do ishin në gjendje t'a blenin. Ai i dhuronte punët sepse ishte një njeri me zemër të madhe që dinte të falte shumë dashuri, dhe ishte kjo arsyeja që kishte pafundësisht miq dhe artëdashës.
Por Nikoleti ishte padyshim edhe një mësues i përkushtuar dhe të gjithë e mbajnë mend si një burrë të hekurt, i cili ishte shumë i drejtpërdrejtë dhe autoritar. Liceu “Jan Kukuzeli” nuk ka njohur artist si ai, ishte simboli i korrektësisë dhe edukoi dhjetra breza që nga viti 1984 deri në 2011 kur del në pension. Ditën e fundit, orën e fundit ishte në klasë dhe kur ju desh të ndahej me nxënësit u thotë: “Kjo është ora e fundit që bëmë bashkë”. Ai punoi me shumë dashuri deri në sekondën e fundit për artin. “Pa lidhje” është ndoshta shprehja më e frikshme që dëgjonim prej tij. Kjo ndodhte atëherë kur t'a rrëzonte punën menjëherë dhe heshtja që mbizotronte pas saj e bënte çdo student të meditonte. Pas kësaj ai e thyente akullin duke filluar të komentonte për punën, gjithmonë qortues por shumë dashamirës. Në fund kur ndonjë studenti i pikonte ndonjë pikë lot i thoshte: “Pse kaq kollaj është të bëhesh artist?!”. Nikolet Vasia kishte një parim: ai nuk shkelte kurrë mbi vlerat, nuk puthej kurrë me antivlerën në art. Nëse i kërkonin të jepte ndonjë intervistë apo të thoshte diçka për një autor ose një vepër, nuk do t'a bënte dhe nuk e bëri kurrë, nëse nuk bëhej fjalë për një artist të vërtetë. “Ai ishte mësuesi im dhe kritiku im më i mirë”, do të shprehej Shpresa Beqiri. “Për orë të tëra pikturonim pa folur e pa e parë njëri-tjetrin, e kur një punë ngecte i kërkoja një mendim më të pjekur, duke pasur 100% besim tek ai, ndërkohë që Nikoleti më shtynte të punoja pa e parë punën, me këmbënguljen time i hidhte një sy dhe komentet e tij ishin: 'ule pak këtë ton ose duhet pak më e ngrohtë këtu', me kaq puna ishte e përfunduar. Ai si me magji zbërthente veprën e dukej sikur dinte të dëshifronte kodin e duhur për t'a përfunduar një punë. Këtë mund t'a bënte vetëm Nikoleti”.
Shumë gjëra mbeten gjithnjë pa thënë për prof. Nikolet Vasian, sado përpiqem të mbaj shënim e të lexoj biografi e artikuj, të shfletoj albume e të shoh punë të tijat. Kjo sepse nuk mjafton asnjëherë koha dhe gjithçka tjetër të rrëfesh një jetë të jetuar në art. Një jetë të jetuar për art.
Nikolet Vasia mbetet në kujtimet tona si një njeri që meritoi gjithë respektin e dashurinë tonë. Ai është i gjallë në zemrat tona dhe në kujtimet e të gjithë atyre që e njohën. Veprat e tij janë një tjetër pishtar drite që do t'a ndriçojnë emrin e tij në përjetësi.
“Iku sapo perëndia e mbushi me Shpresën për më tej”. S.Turku (Piktor)
“Nikoleti ishte një nga njerëzit që eci ndoshta edhe më shpejt se progresi shoqëror”. Naxhi Bakalli (Piktor)
“Durrësi ka humbur një emër të madh e një vlerë të pa zëvendësueshme. Nikoleti la një botë të madhe, aq sa vështirë t'a përfytyrosh, nuk la thjesht një vepër apo një emër. Figura e tij do të mbetet burim frymzimi edhe për brezat që do të vijnë”. Kiço Ristani (Piktor)
“Nikolet Vasia ishte bërë një nga piktorët më të njohur të brezit të tij, falë talentit dhe trashëgimisë familjare nga Idromeno i madh, krijonte tabllo unike, jashtë skemave shabllone të kohës”. Ferid Hudri (Kritik Arti)
“Gjerësia e punimeve të artistit të nivelit botëror, që të godet me energji dhe imagjinatë, është krejtësisht e habitshme”. Dr. R. Barid Shuman (Kritik i Letërsisë së Artit, Universiteti i Ilinoisit)
“Arti i këtij artisti kalon përtej kufijve, përtej kulturës, përtej vlerave artistike që mund të prisja prej tij”. Dr. Robert Trac, (Kritik Arti dhe Arkitekture, Universiteti i Las Vegas, Nevada)
“Progresi i tij duket se ikën përherë drejt abstraktes, duke rënë në gjurmët e Pollock dhe Francis. Ngjyrat që përdor janë plot jetë, atraktive dhe abstragimi i personazheve është magjepës”. Michel Hygo (Regjizor, Hollywood)
EKSPOZITAT
Ekspozoi për herë të parë në vitin 1965, ka marrë pjesë çdo vit në ekspozita kolektive lokale dhe kombëtare nga 1965 deri në 1990
1982 – Galeria e Arteve Durrës
1986 – Galeria e Arteve Durrës
1989 – Palati i Kulturës, Tiranë
1993 – Gioia Del Colle, Itali
1994 – Bari dhe L'Aquila, Itali
1999 – Torra Veneciane, Durrës
2000 – Kisha Shën Vlash, Durrës
2000 – Galeria “Veve Center” Tiranë
2001 – Spilimbergo, Itali
2001 – Selia Ambasadës Shqiptare, Paris
2002 – Galeria “Imagen”, Spanjë
2004 – Galeria Jozef, Durrës (Inagurimi)
2004 – Galeria Jozef, Durrës
2005 – Pejë, Kosovë
2005 – Lecce, Itali
2007 – Galeria Kombëtare, Tiranë
2007 – Galeria Jozef, Durrës (60 Vjetori)
2007 – Las Vegas, Universiteti i Nevadës, SHBA
2010 – Galeria Jozef, Durrës
Nga viti 2000 deri në 2004 ekspozitat e mësipërme janë çelur me piktoren Shpresa Beqiri Vasia.