Nga vizatimet e mijëra objekteve arkeologjike tek zbulimi i talenteve të reja në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli”. Nga idetë e shumta për gjallërimin e jetës artistike të qytetit, tek kompozimi i emblemës dhe flamurit të Durrësit. Nga shtëpia e nënës së tij ku rrethohej nga pikturat e stërgjyshit të tij Kol Idromeno, tek ekspozitat e hapura në shtete të ndryshme të Europës e SHBA-së. Katër dekada krijimtari e një artisti të kompletuar që i dha aq shumë artit dhe kulturës, që la gjurmë në historinë e qytetit ku lindi e u rrit si artist

Nikolet Vasia lindi në Durrës në 5 gusht të 1947. Piktori i ardhshëm, që në moshën 5-vjeçare ra në kontakt me veprën e të madhit Kol Idromeno, piktorit më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Nikoleti ishte shumë i vogël, por siç duket kontakti që pati me punët e stërgjyshit të tij, me të cilat shtëpia e së ëmës, Gjyzepinës, ishte e mbushur plot do të linte rrënjë të thella në formimin artistik të tij. Gjyzepina ishte mbesë e Antoneta Skanjetit, motrës së Kol Idromenos dhe figura e gruas që pozoi për realizimin e portretit të famshëm “Motra Tone”. Nikoleti ndoqi studimet në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërkohë që në vitin 1970 u diplomua për pikturë në Akademinë e Arteve. Nga viti 1970-1974 ai punoi si piktor dhe skenograf në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Ai realizoi dokumentimin figurativ të objekteve muzeale dhe gërmimeve arkeologjike të zbuluara deri në atë kohë.

Pjesë e punës së tij do të ishin pikturimi i mijëra vazove të periudhës antike, klasike etj, që i përkasin shekujve IV p.k. deri në IV pas Krishtit. Por kjo punë voluminoze, mjaft ndihmuese për arkeologët vendas dhe të huaj ka mbetur e pabotuar. Në një prononcim të tyrin në numrin e kaluar të gazetës “Dyrrah”, arkeologët Arthur Muller dhe Fatos Tartari bënë të ditur se janë angazhuar në një projekt që do të konsistojë në dokumentimin e gjithë punës së Vasisë, katalogimin e saj dhe dërgimin për botim. Disa nga pikturat e Vasisë janë publikuar në guidën e dy viteve më parë, që grupi i arkeologëve francezë dhe shqiptarë botuan për zbulimet e tyre. Por ky botim i fundit do të hedhë dritë mbi gjithçka që Vasia ka kontribuar në vite për pasqyrimin sa më të plotë dhe të detajuar të zbulimeve arkeologjike në qytetin tonë.

Ndërkohë në sferën e mësimdhënies, Vasia ka dhënë një kontribut të vyer për zbulimin dhe evidentimin e mjaft talenteve të reja në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli”, ku punoi si mësues nga viti 1984 deri në 2011, kur doli në pension. 

Si një artist i kompletuar Vasia ka qenë pjesëmarrës në komisionin e rregullimit të ambientit të qytetit (udhëzoi dhe realizoi lyerjen e pallateve në Rrugën Tregtare). Punoi si konsulent në formulimin muzeal dhe artistik të Muzeut Arkeologjik dhe atij Etnografik të Durrësit.

Si një nga punët më të rëndësishme ku ka lënë firmën e vet Nikolet Vasia janë kompozimi i emblemës dhe flamurit të qytetit të Durrësit. Në të njëjtën kohë ai ka punuar emblemën e shkollës “Jan Kukuzeli”, “Naim Frashëri”, “Gjergj Kastrioti” si dhe klubit shumësportësh “Teuta”. Për tre mandate ka qenë anëtar i Këshillit të Kulturës, pranë bashkisë së Durrësit, ku mendimet e tij, jo vetëm për artin figurativ, kanë qenë ndër më të çmuarat.

Gjatë gjithë krijimtarisë së tij artistike, Vasia ka nxjerrë nga duart e tij me mijëra tablo, një pjesë e madhe e të cilave ndodhen në shtëpitë e qytetarëve durrsakë apo në koleksione në mbarë botën si në Spanjë, Francë, Gjermani, SHBA, Itali etj. Vasia u ka dhuruar rreth 3000 vepra të tij qytetarëve të ndryshëm apo institucioneve.

Nikoleti si krijues punoi në të gjitha gjinitë e artit figurativ si: pikturë, skulpturë, pikturë murale, mozaik, vitrazh, grafikë etj. Ndër veprat e tij më të rëndësishme përmenden: Mozaiku “Kushtrimi”, i cili ndodhet në muzeun kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë; mozaiku me gurë “Festa e çlirimit” në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës, piktura murale në Durrës dhe në Trani, Itali; pikturat mjaft të njohura “Rreth flamurit të përbashkuar”, “Posta shqiptare 1912”, “Varrimi i Azem Galicës”, “Idil dashurie” etj.

Me rastin e 60-vjetorit të lindjes, bashkia e Durrësit i akordoi titullin “Mirënjohja e qytetit”, për kontributin e dhënë prej tij në gjallërimin e jetës artistike të qytetit dhe punën plot përkushtim me talentet e reja. Ky titull ishte vlerësimi i një kontributi prej gati katër dekadash që Vasia dha jo vetëm në artin figurativ të qytetit bregdetar, por edhe më gjerë. Ndërkohë në 16 maj të këtij viti kryebashkiaku Vangjush Dako, zbuloi pllakën e vendosur në hyrje të galerisë së artit pamor të qytetit ku është gdhendur emri i piktorit Vasia që aq shumë i dha artit dhe kulturës në përgjithësi të qytetit të tij. Vlerësime dhe konsiderata mjaft pozitive për krijimtarinë e tij,Vasia ka marrë jo vetëm në qytetin e tij të lindjes, por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, në ekspozitat që ai ka hapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanjë, Francë etj. Edhe në veprat e punuara gjatë realizmit socialist, në tablotë e tij, vihej re një tendencë e heshtur drejt një modernizmi në pritje të shpërthimit.

Piktori Nelo Lukaçi për Nikolet Vasinë

Nikolet Vasia është nga ata krijues prodhimtarë që ka një bagazh intelektual dhe një karakteristikë emocionale në veprat e tija. Nëpërmjet këtij bagazhi dhe këtij shpirti që ai hodhi në tablotë e tija, ai jo vetëm në kuadrin kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar ka merita. Ato i ka manifestuar përmes ekspozitave që ka zhvilluar në shtete të huaja, e ku kudo ka marrë vlerësime mjaft pozitive. Vasia ishte një njeri me talent, një piktor shumë i mirë, që nëse do të ishte gjallë do të vazhdonte të krijonte vepra më të arrira e më të bukura. Nikoleti në pikturën shqiptare ka sjellë natyrën folklorike. Veprat e tij kanë lidhje me tabanin kombëtar. Të njëjtën gjë e transmeton edhe Shpresa me punimet e ekspozuara këtu, pasi ndihet kultura kombëtare.


 

Buron Kaceli, piktor

Nikoleti ka qenë një mik i afërt i imi. Ndoshta këtu influencon edhe miqëria, edhe dashuria si shok, si mik, gjithsesi unë shpresoj të jem objektiv. Nikoleti zë një vend të rëndësishëm në artin shqiptar. Ka qenë një piktor mjaft potencial, mjaft dinamik, që ia ka kushtuar jetën e tij artit. Ka arritur të krijojë vepra të tilla, të cilat jam i bindur se do ta bëjnë të paharrueshëm Nikoletin. Jam shumë i lumtur që sot e tutje kjo galeri e bukur do të mbajë emrin e Nikolet Vasisë, një njeriu e shqiptari të mirë dhe pedagogu të mirë, sepse ka punuar për shumë vite dhe ka nxjerrë shumë artistë. Gjithashtu jam i lumtur që pashë ekspozitën e Shpresës, që për mua është një piktore e ndjeshme, që paraqet një personalitet të vetin dhe ka veçoritë e veta si krijuese.


 

 

Michel Hugo, ish-drejtor fotografie në Hollywood

Michel Hugo, një nga ish-drejtorët më të shquar të fotografisë në Hollywood, i njohur edhe si regjisori i serive televizive si "Dinasty","Melrose Place" etj, u shpreh kështu për punimet e Vasisë gjatë kohës kur ai së bashku me Shpresën hapën ekspozitën në Las Vegas:"Nikolet Vasia të ofron aq shumë sa e kam të vështirë të zgjedh. Stili dhe metodat e tij janë aq të larmishme sa secila pikturë ka vlerat dhe interesat e veta. Progresi i tij duket se ikën përherë e më shumë drejt abstraktes, duke rënë në gjurmët e Jackson Pollock dhe Sam Francis. Ngjyrat që përdor janë plot jetë, atraktive dhe abstraktimi i personazheve është magjepsës."


 

Baird Shuman, shkrimtar nga Las Vegasi

Një nga shkrimtarët më të njohur, jo vetëm të Las Vegasit, por të gjithë Amerikës, Baird Shuman do të shprehej për dy piktorët durrsakë:"Të shohësh një ekspozitë të punimeve të artit të dy bashkëshortëve shqiptarë Shpresa Beqiri e Nikolet Vasia, është si të ekspozosh veten tek një eksperiencë krejtësisht transfiksive. Gjerësia e punimeve nga ky çift artistësh të klasit botëror, që të godet me energji dhe imagjinatë, është krejtësisht e habitshme. Pikturat e tyre përfshijnë një hijeshi të padiskutueshme të nudos, të ngjashme me ato të punës më të bukur të impresionistëve francezë. Në pikturën "Çift Malësorësh" të Vasisë, si dhe në disa nga pikturat e tjera surrealiste, figura njerëzore shfaqet me një delikatesë drithëruese të befasishme. Ato janë përfaqësime formale që të sugjerojnë punën më të mirë të Georges Roualt-it.


 

Pavarësia

Në këtë 100 vjetor mungon piktura e Vasisë

Në këtë 100-vjetor të pavarësisë së vendit nuk ka sesi të mos ndihet mungesa e njërës prej pikturave më të bukura të Nikolet Vasisë, ajo e titulluar “Rreth flamurit të përbashkuar”. Piktura e njohur, nga e cila autori i saj ruante vetëm një kartolinë dhe një revistë, ka humbur prej disa vitesh pa lënë asnjë gjurmë. Piktura e famshme, që paraqet trimin Isa Boletini të gjunjëzuar e duke puthur flamurin kombëtar, i rrethuar nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e mjaft patriotë të tjerë, prej vitesh nuk gjendet më në fondin e galerisë së artit figurativ të qytetit. Kompozimi në vaj, me përmasat 170 x 140 cm, i titulluar “Rreth Flamurit të Përbashkuar” është blerë nga Galeria e Arteve të Durrësit, në vitin 1978, për 1700 lekë të rinj. Kompozimi bënte pjesë në koleksionin e veprave të ekspozitës kombëtare, të hapur me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Vasia ishte vetëm 31 vjeç, kur e kompozoi atë. Piktura u riprodhua me ngjyra në revista, kartolina, bardhezi në shtyp, si ilustrim në shkrimet përkujtimore dhe historike për të zëvendësuar, madje, dhe foton zyrtare të 28 Nëntorit të Vlorës. Pasi qëndroi në Galerinë e Durrësit për rreth 20 vjet, piktura rezulton të jetë e zhdukur, të paktën, pas vitit 1998. Në 18 vite tranzicion, në Galerinë e Durrësit nuk ka ndodhur ndonjë grabitje me forcë, por, çuditërisht, vepra nuk figuron në inventaret e muzeut dhe të Qendrës Kombëtare të vitit 2005.