Tiranë, 29 korrik 2014 – Ministria e Arsimit do të urdhërojë mbylljen e disa shkollave të mesme, të cilat prej vitesh kanë funksionuar në mënyrë fiktive, duke lëshuar diploma pavarësisht se nxënësit nuk kanë bërë asnjë orë mësim.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Medias dhe Arsimit, ministrja Lindita Nikolla është shprehur se në këto shkolla, inspektimi ka qenë inekzistent vitet e fundit.
“Në totalin e maturës shtetërore kemi shënuar kalueshmëri prej 67 për qind dhe 33 për qind mbetje. Janë përgjithësisht shkolla të licencuara private part time, që rezultojnë fiktive në kuptimin e cilësisë së punës dhe në pjesëmarrjen e nxënësve në mësim. Inspektimet ndaj tyre në vitet e fundit kanë qenë inekzistente. Ne jemi të vendosur që këto realitete t’i ndryshojmë”, tha Nikolla.
Ministrja e Arsimit shtoi se këtë vit do të bëhet rishikimi i 120 teksteve mësimore, në të cilat janë hasur shumë gabime.
Ndërsa një tjetër tregues për nivelin jo të mirë të mësimdhënies është edhe rezultati i dobët i mësuesve që i janë nënshtruar provimit të shtetit. Mbi 30% e mësuesve në gjithë vendin nuk e kanë kaluar provimin e shtetit të mësuesisë, kjo edhe sepse është rritur pragu, i cili synon rritje të cilësisë në mësimdhënie.
“Kemi shifrat mbi 30 për qind e mësuesve nuk kaluan dot provimin. Kryefjala jonë mbetet kualifikimi i një lloji të ri, jo si ai që ka qenë deri më sot, që kishte promovuar njerëz dhe këshilltarë të ish-kryeministrit”, tha Nikolla.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





