21 tetor 2013- Me anë të një deklarate për mediat, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka bërë me dije nisjen e procedurës për konkurrimet e drejtuesve të shkollave.

“Sot lajmërojmë fillimin e procedurave të konkurrimit, sipas dispozitave ligjore për pozicionin e Drejtor në Drejtoritë Arsimore Rajonale në të gjitha qarqet e vendit.Gjithashtu nis sot fillimi i fundit të militantizmit dhe korruptimit të shkollës, përmes emërimesh pa kriter gjatë gjithë këtyre viteve”. “Lajmërimet për konkurrimet do të bëhen në shtyp dhe në faqen online të MAS.Seleksionimi do të bëhet duke u bazuar në kritere të qarta të shpallura publikisht dhe në transparencë publike të plotë. Do të ketë 13 finale publike mes 3 deri në 5 kandidatë, përballë një jurie prestigjioze të përbërë nga personalitete të arsimit”.Përmes prononcimit të radhës, ministrja informoi se gjatë kësaj periudhe, MAS ka inspektuar disa prej emërimeve politike në institucionet arsimore. “Në vetëm 26 shkolla të monitoruara, konstatuam se 119 mësues ishin të emëruar mbi normën e përcaktuar. Gjenerata e re e shqiptarëve nuk meriton një sistem arsimor që menaxhohet nga drejtorë e specialistë që nuk kanë arsimin e duhur”, është shprehur Nikolla.

“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. Nisur nga rekomandimet e grupit të inspektimit të bazuara në gjetjet e këtij procesi, janë marrë masat disiplinore: “zgjidhje e menjëhershme e kontratës për 59 persona të implikuar në shkelje të hapur të ligjit”, përfshi 12 drejtues të DAR  “vërejtje me paralajmërim” për 13 punonjës; “vërejte” për 5 punonjës”, tha Nikolla.

“Bashkarisht, me mish e me shpirt e angazhuar që, nëpërmjet një partneriteti të ri strategjik, mes mësuesve, prindërve dhe shtetit, të ndërtojmë modelin e ri të shkollave si qendra të komunitetit; t'i japim shkollës një rol që shkon përtej mësimdhënies, formimin e qytetarisë së re europiane; ta bëjmë shkollën, pikë referimi të komunitetit dhe pikë rëndese të bashkëjetesës demokratike. Pasi për ne, ngritja e cilësisë së arsimit në standardet europiane dhe mbrojtja e tyre janë parakushte që do të garantojnë cilësinë e gjeneratës tjetër”, përfundoi fjalën e saj, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.