Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në një dalje publike para gazetarëve, duke folur pas skandalit të dhunës që ushtrohej në kopshtin “Diren” në Tiranë nga vetë administratorja e tij, deklaroi se kopshti është fantazëm, pra i palicensuar. Ministrja u bëri apel prindërve që të denoncojnë çdo rast kur shohin se fëmijët e tyre bien pre e dhunës nëpër institucionet arsimore.
Nikolla tha se janë bërë inspektime herë pas here, ndërsa janë hequr licencat në rastet kur nuk janë zbatuar kriteret.
“Kërkojmë që të gjithë prindërit të denoncojnë rastet e dhunës. Para se të nisim gjykimet, do vëmë në dispozicion të gjitha strukturat. Inspektimi është bërë më përpara, ka periodicitet. Janë institucione, mediat, por edhe prindërit për të evidentuar të gjithë rastet dhe për t’i denoncuar. Nëse do ishte në dijeninë time që ka institucione pa licenca, ato do hiqeshin. U është hequr licenca atyre që s’kanë plotësuar kushtet”, tha Nikolla.
Por teksa është pyetur në lidhje me kriteret që duhet të përmbushin institucionet arsimore për t’u licencuar, Nikolla nuk iu përgjigj interesit të gazetares, ndërsa nuk nguroi të replikonte me të jashtë mikrofonit.
Nikolla iu drejtua gazetares së “ABC News” se përse e bëri atë pyetje, ndërsa gazetarja iu përgjigj: “Doja të dija kriteret që duhet të plotësohen që këto institucione duhet të marrin licencat”.
Ministrja Nikolla në këtë moment i kthen këtë përgjigje: “Është njësoj sikur të pyes unë sesa është numri i gazetarëve në punë, nëse janë të diplomuar apo jo”.





