Tiranë, 12 nëntor 2013- Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka dërguar një letër të hapur për gjithë mësuesit, ku u ka bërë thirrje për t’u mbështetur në vlerat e drejtësisë, paanësisë, mosdiskreditimit, trajtimit të barabartë, dinjitetin, respektin. Nikolla ka theksuar se për cilësinë e arsimit duhet meritokraci dhe këtu paralajmëron pajisjen e mësuesve me kartën e performancës.
“Duke qenë e vetëdijshme për problemet dhe vështirësitë me të cilat përballeni, vazhdoj të besoj fort se, misioni ynë fisnik nuk përmbushet dot vetiu prej "shenjtërisë"së profesionit. Ai realizohet duke u bazuar çdo ditë në vlerat e drejtësisë, paanësisë, mosdiskriminimit,trajtimit të barabartë, dinjitetit, respektit etj. Ky duhet të jetë mjedisi në të cilin Ju, të dashur mësues, merrni përgjegjësinë t’i përkushtoheni nxënësit dhe profesionit tuaj, duke u bërë modeli i standardeve më të larta të etikës dhe sjelljes. Ndjehemi të gjithë bashkëpërgjegjës për cilësinë e arsimit.
Do të vijohet me përzgjedhjen e drejtuesve në çdo DAR, ZA bazuar në trasparencë dhe meritokraci, në zbatim të ligjit dhe duke u larguar përgjithmonë nga lidhjet politike e korruptive. Do të realizojmë vlerësimin kombëtar të arritjeve për çdo shkollë dhe do të hartojmë kartën e performancës për çdo nivel të arsimit. Në ditët në vijim, do të ndërmarrim fushata sensibilizuese dhe njohëse për procesin e përzgjedhjes së drejtuesve në bazë shkolle, si dhe për ndërgjegjësimin e nxënësve dhe prindërve për rëndësinë e zbatimit të Kodit të Etikës.Ta çlirojmë atë edhe nga kurset private të zhvilluara nën presionin e marrjes së notës më të mirë.
Kurset private me nxenesit janë në shkelje të plotë të etikës dhe standardeve profesionale. Unë e kam kuptuar që, në punën tuaj, shpeshherë jeni ndjerë vetëm, pa mbështetjen e duhur dhe jo në qendër të vëmendjes së politikave arsimore, ndaj dhe jam e vendosur që, nëpërmjet një partneriteti të ri, të qëndrueshëm, mes mësuesve – prindërve – nxënësve -shtetit, të ndjehemi të gjithë bashkëpërgjegjës për cilësinë e arsimit në shkollat e gjeneratës së re të shqiptarëve", përfundon letrën Nikolla.





