TIRANE, 20 mars 2013 – Anëtarja e kryesisë së PS-së dhe njëkohësisht kandidate për deputete Lindita Nikolla ka deklaruar se biznesi i vogël është një dështim i Sali Berishës. Sipas saj të vetëpunësuarit e këtij sektori kanë shkuar drejt falimentimit.
“Plot 160 000 të vetëpunësuar që mbijetojnë falë disa sipërmarrjeve aq modeste sa në fakt nuk mund t’i quash biznese, përballen sot me mundësinë reale të falimentimit për shkak të politikave të ndjekura në këto 8 vite nga kjo qeveri”,- u shpreh anëtarja e kryesisë së PS-së.
Sipas saj, sot bizneset e vogla po shkojnë drejt falimentimit si pasojë e vendosjes së taksës së sheshtë e cila, praktikisht, bën që këto sipërmarrje të vogla familjare të kenë një barrë më të rëndë fiskale sesa bizneset e mëdha.
Lindita Nikolla deklaroi se vetëm në Tiranë kanë falimentuar mbi 4000 biznese të vogla si pasojë e politikave të ndjekura nga Sali Berisha në këto 8 vite. Ata që ende nuk i kanë mbyllur bizneset e tyre janë sot në një gjendje aq të dëshpëruar sa nuk mund të mbulohet as me propagandën e as me premtime.
“Pas 95 ditësh, kur Sali Berisha të largohet me votë në 23 qershor ne do ta heqim menjëherë taksën e biznesit të vogël dhe do të fillojmë zbatojmë një politikë krejtësisht të re fiskale ku barra më e rëndë të mos bjerë më mbi më të dobëtit”, përfundon deklarata e shpërndarë mediave.





