Kineasti tregon për kinemanë italiane në kohë krize

Drejtori i fotografisë rrëfen eksperiencën shqiptare, nga ardhja e parë në 2005-n

“Për mua, çdo film për të cilin punoj, është si i pari, përpiqem të jap më të mirën”.  Me të njëjtin pasion si në vitet ’80, kur punonte me regjisorin italian Damiano Damiani, ndarë nga jeta vetëm pak ditë më parë, drejtori i fotografisë Sebastiano (Nino) Celeste punon edhe sot, edhe pse, siç thotë ai, kohërat e kinemasë së madhe italiane kanë marrë fund. Nuk ka më producentë, nuk ka më aktorë të mëdhenj. I angazhuar së fundmi me filmin “Amaneti” të regjisorit Namik Ajazi, Nino Celeste tregon që nga puna me Damianin në 4 seritë e “Oktapodit”, te bashkëpunimi me regjisorët shqiptarë dhe zbulimi i Shqipërisë, para dhe pas ’90-s.

Besoj se përpara se të pranosh të bëhesh pjesë e një projekti, duhet të besosh në të, çfarë ju bindi në filmin “Amaneti”?

Kur Namik Ajazi më foli për këtë projekt, menjëherë i kërkova skenarin, pasi është e kotë të punosh për një gjë që nuk vlen. E lexova dhe kam kuptuar shumë gjëra mbi atë çka ndodhte në Shqipëri përpara viteve ’90. Në Itali gati nuk dihej asgjë mbi atë që ndodhte në Shqipëri. Duke lexuar kuptova shumë gjëra dhe e pranova, pasi më dukej sikur do ta jetoja pak këtë periudhë edhe pse përmes një fiksioni. Jam përpjekur të hyj në botën e personazheve. Janë të gjithë shumë të gjetur. Përpiqesha të kuptoja se si mund të ndiheshe kur e dije se të kishin tradhtuar. U përpoqa të hyj në figurën e tij dhe jemi përpjekur të krijojmë imazhe, në bazë të këtyre ndjesive, që të mund t’i transmetojmë më tej në ekran. Shpresojmë t’ia kemi arritur.

Kjo nuk është hera e parë që bashkëpunoni me regjisorë shqiptarë, keni punuar me Besnik Bishën, Saimir Kumbaron, si e keni zbuluar Shqipërinë?

Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në vitin 2005 për filmin “Mao Ce Dun” të Besnik Bishës. Duhet të them të vërtetën, m’u kujtua Italia pas viteve ’40, rrugët e prishura, qytetet nuk janë ata që ishin, aeroporti zëre se s’ekzistonte, dukej si aeroport afrikan. U ktheva në 2009-n për filmin e Saimir Kumbaros dhe tashmë shumë gjëra kishin ndryshuar. Më duket si një ëndërr amerikane. Qyteti i ndriçuar, rrugë dhe shtëpi të reja… gjëra që në Itali nuk janë bërë qysh se përfundoi lufta. Në Itali tashmë po rikonstruktojmë rrugë që janë shkatërruar gjatë fashizmit, ndërkohë që këtu gjërat ecin shumë shpejt. Atëherë them a ia vlen të jetosh më mirë në Itali apo Shqipëri?!

Por duke qenë se Shqipëria ka ndryshuar kaq shumë, nuk e keni pasur shumë të thjeshtë për ta “rikthyer” në vitet ’80 apo jo?

Por për filmin kemi hasur probleme, sepse duke qenë tashmë një qytet modern, është pak e vështirë për të krijuar skenografinë, për gjetjen e vendeve. Por duhet thënë që kanë qenë shumë të zotët. Kemi gjetur vende të përkryera. Kemi xhiruar në një minierë të vërtetë dhe në vende që të bëjnë të besosh se nuk është një qytet i sotshëm, por një qytet i viteve ’70-’80. Fatmirësisht na ndihmoi edhe moti. Edhe pse për ju mund të jetë e shëmtuar, për filmin ishte e përsosur, pasi i gjithë filmi xhirohej nën një tis gri.

Gjatë karrierës suaj keni punuar me shumë regjisorë. Besoj se secili ka “huqet” e veta, cili është sekreti për t’u marrë vesh me të gjithë?

Regjisorët janë sa të vështirë, aq edhe të thjeshtë. Çdo film që bëj, qoftë me një regjisor të ri apo me eksperiencë, është si të punosh për herë të parë. Përfshihem gjithmonë në ato frikërat e mia, nëse arrij ta bëj mirë diçka ose jo, dhe çdo film është si i parë për mua dhe jap gjithçka që mund të jap, duke u përpjekur që të kuptoj historinë dhe ta lë në plan të dytë regjisorin. Në rastin konkret, Namiku e dinte ekzaktësisht se çfarë donte. Më ka folur shumë për filmin, më ka treguar foto dhe më ka ndihmuar të kuptoj se cila ishte Shqipëria. Kështu që kemi qenë në simbiozë. Të gjitha ato që ai më tregonte, unë përpiqesha t’i ktheja në imazhe. Besoj se kam bërë një punë të mirë dhe këtë e shpresoj për filmin, por dhe për shqiptarët.

Keni parë filma shqiptarë të epokës, si ju duken?

Po kam parë disa. Më ka pëlqyer shumë filmi i Saimir Kumbaros “Vdekja e kalit”. Sigurisht i xhiruar njëfarësoj, për shkak të kohës kur është realizuar, por shumë i bukur. Kam parë “Natë pa hënë”, që nuk ishte keq. Por kam parë edhe filma bardhë e zi të para viteve ’90, ishin të mirë. Nuk kuptoja asgjë sepse ishin të gjithë në shqip, por imazhet të mbërthenin, sepse shihje varfërinë, dhunën, urinë, mënyrën e jetesës, presionin, gjithçka. Ishte si të ktheheshe në Italinë e viteve ’35-’40.
Tashmë duhet të dini gjithçka mbi diktaturën shqiptare, përderisa të gjithë filmat që keni realizuar në Shqipëri, apo dhe keni parë kanë qenë të lidhur me të…
Tashmë di gjithçka. Mund të marr pjesë pa frikë në një kuic për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve mbi diktaturën në Shqipëri.

Si ka qenë bashkëpunimi me shqiptarët?

Në radhë të parë janë zotërinj të vërtetë, nuk janë mendjemëdhenj, janë të përulur, me ta mund të flasësh, mund të shkëmbesh mendime, janë të hapur për dialog dhe me të drejtë duhet të jetë kështu. Mendjemadhësia në këtë profesion, por edhe në jetë në përgjithësi, është shumë e shëmtuar. Më ka ndodhur që të xhirojmë nga e para, dy javë punë, sepse nuk merreshim vesh me regjisorin.

Duke qenë se ky është filmi i tretë, vini re ndryshime në ecurinë e kinemasë shqiptare nga njëri bashkëpunim në tjetrin?

Uroj që të ketë një zhvillim të madh, sepse mbi të gjitha kinemaja është kulturë, ndihmon për të kuptuar botën. Dhe ka nevojë për më shumë hapje, për më shumë bashkëpunime. Sepse, nëse dikush bën një film shqiptar, për ta shfaqur vetëm në Shqipëri, nuk ka bërë asgjë. Ka nevojë për bashkëprodhime, që këta filma që bëhen këtu, të mund të bëhen të njohur në gjithë botën, që njerëzit të mësojnë më shumë për Shqipërinë. Të gjithë njerëzit këtu e duan kinemanë. Të gjithë njerëzit me të cilët punoj, që nga makinisti e me radhë, janë njerëz të mrekullueshëm, që të dëgjojnë dhe kanë dëshirë të mësojnë, nuk tërhiqen kurrë pas. Në diferencë me kinemanë tonë, këtu punohet me orë shumë të gjata. Nëse në Itali punojmë 8-9 orë dhe jo më shumë, këtu punohet 14-15 orë.

Ju keni edhe një lidhje tjetër me Shqipërinë. Besoj se e dini që filmi “Oktapodi”, ku ju keni qenë drejtor fotografie, ka qenë shumë i dashur për shqiptarët. Kemi qarë aq shumë kur u vra Katani… Thonë se edhe ky film ka kaluar mes censurës, vërtet?

Jo, nuk kemi pasur probleme të tilla, por ka qenë një film shumë i vështirë, pasi ka qenë i ngarkuar me skena aksioni. Por gjithashtu një film shumë i suksesshëm në të gjithë botën. Kam punuar me Damianin, që ishte një regjisor i mrekullueshëm. Kemi bërë katër seriale së bashku (1, 2, 3, 4). Vdiq Katani, “vdiq” edhe Celeste.

Që do të thotë…

U tërhoqa pasi ishte shumë e lodhshme, por ka qenë një punë që më ka dhënë shumë kënaqësi. Duke rënë dakord me Damianin, ne vendosëm që për herë të parë të realizonim një fotografi kinematografike për televizionin. Ka qenë një luftë e ashpër me televizionin, pasi ata donin një raport 1 me 1, në kuptimin që duhej të dukej gjithçka, netët duhet të dukeshin sikur ishin ditë. Ndërsa Damiani tha: “Jo, dua të bëj një film artistik me errësirë, dritëhije etj.” Qe edhe kjo pjesë e suksesit, sigurisht bashkë me muzikën e Ennio Moricone-s dhe lojën e aktorëve të mëdhenj.

Nga sa vazhdojmë ta ndjekim kinemanë italiane, duket se ajo atmosferë që ju përshkruani tek “Oktapodi” nuk përsëritet më…

Oh, jo, jo ka marrë fund. Dhe ata pak filma që xhirohen, nuk vlejnë. Filma “low cost”, ku mungojnë historitë… nuk ka mbetur më asgjë.

Faji i krizës globale?

Tashmë po përjetojmë një krizë të vërtetë në Itali, sepse nuk ekzistojnë më producentët. Më parë, producenti besonte në një projekt, vendoste paratë e veta dhe ndiqte filmin nga fillimi deri në fund. Kurse tani ka agjentë që gjejnë para sa andej-këndej, marrin vetë 15-20%, i japin ca përqindje të tjera një producenti tjetër dhe nuk mbetet asgjë për filmin. Por problemi është se ne kemi një qeveri, që thotë se kultura nuk i bën mirë popullit. Me gjithë problemet, këtu kam parë një vullnet të mirë për të bërë gjëra të mira. Mora pjesë para disa muajsh në një festival filmi, kishte shumë njerëz që flisnin për kinemanë, çfarë nuk e shoh më në Romë. Vetëm në Festivalin e Venecias, ku duan të duken, se ndryshe nuk flasin kurrë për kinemanë e për projekte.

Po në raport me aktorët, ç’ka mbetur nga epoka e të mëdhenjve italianë?

Ndryshe nga Italia, këtu kam takuar aktorë shumë të mirë, që nga xhirimet me Bishën e deri më sot. Kam mbetur i mrekulluar nga zotësia e këtyre aktorëve si të rinj, dhe të vjetër. Në Itali kemi vetëm 4-5 aktorë dhe nuk ka më. Pastaj italianët janë mendjemëdhenj. Sapo bëjnë një punë, menjëherë fillojnë e pretendojnë rulotë, trukues e parukier privat…

Duket sikur ju kanë pushtuar modelët e modelet…

Po, po, modelë, velina, një shpifësirë e vërtetë… nuk ka më aktorë të vërtetë. Kurse këtu i kam gjetur dhe janë të zotët, të zotët, të zotët.

“Oktapodi”, seriali më i ndjekur nga shqiptarët

Filmi me 10 miniseri u shfaq me sukses në 80 vende

Seriali televiziv italian “Oktapodi”, prodhim i RAI-t, është ndër të paktët filma të huaj të lejuar në ekranin e vetëm shqiptar. Si një film që zbulonte korrupsionin në sferat më të larta të shtetit italian dhe të lidhjes me mafien, krimin e organizuar, kjo ishte propaganda më e mirë për të treguar se sa i “molepsur” ishte Perëndimi e sa të lumtur ishin shqiptarët. “Oktapodi” u bë një nga filmat më të dashur për shqiptarët dhe personazhe, si komisari Corrado Catani, gjykatësja Silvia Conti etj., u bënë simbole të drejtësisë, madje ende vijojnë të përmenden. Po aq i famshëm u bë edhe personazhi i Tano Caridi-t, kryemafiozit cinik. “Oktapodi” nisi në vitin 1984, për t’u mbyllur në vitin 2003 me 10 miniseri. Gjatë historisë së tij është realizuar nga regjisorë të ndryshëm, si Damiano Damiani, Florestano Vancini, Luigi Perelli e Giacomo Battiato. Në të interpretoi një kastë e gjerë aktorësh, si Michele Placido, Vittorio Mezzogiorno, Florinda Bolkan, Remo Girone, Patricia Millardet, Giuliana de Sio, Barbara de Rossi etj. Në katër miniseritë e para, drejtor fotografie i filmit ishte Sebastiano (Nino) Celeste. Mësohet se filmi është transmetuar në 80 vende të ndryshme, ku ka njohur një sukses të jashtëzakonshëm, sidomos në miniseritë e para. Ndërsa e 10-a do të shënonte një lloj zhgënjimi për publikun, çka i dha edhe fund zgjatjes së serialit.

Celeste, drejtor fotografie i “Amanetit”
Filmi me regji të Namik Ajazit evokon ngjarje të vitit 1982

Kanë xhiruar në Pogradec, në Tiranë, në rrugë që ruajnë deri diku hijen e viteve të diktaturës, në miniera… Tani janë hedhur në bregun matanë, për të xhiruar disa skena të tjera në Itali. Koha u priu. Ajo periudhë të zymtë e viteve ’80, pikërisht pas vetëvrasjes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu, nuk mund të inskenohej më mirë se në këtë pranverë shiu. Për drejtorin e fotografisë Nino Celeste, nuk bëhej më mirë. “Është një mot që nuk bën për metereopatët, por për filmin ishte e përkryer”. Kështu thotë Celeste, i cili disa ditë më parë ndodhej në Tiranë për filmin “Amaneti” me regji të Namik Ajazit. Për drejtorin e fotografisë së filmit të famshëm televiziv “La Piovra” nuk ishte hera e parë në Shqipëri. Ka bashkëpunuar më parë me regjisorin Besnik Bisha, pastaj me Saimir Kumbaron dhe tanimë me Namik Ajazin, në një film që flet për eliminimet brendapërbrenda pushtetit komunist. Është viti 1982, koha kur është eliminuar Mehmet Shehu dhe klani i tij. Filmi rrëfen historinë e një funksionari të lartë të Sigurimit, i cili pret fundin ashtu si edhe ai ua ka përgatitur të të tjerëve. Në rolet kryesore të filmit interpretojnë aktorët Amos Zaharia, Myzafer Zifla, Eva Alikaj, Gulielm Radoja, Sulejman Dibra, Xhevahir Zeneli, Alfred Trebicka, aktori italian Orio Scaduto, etj. Çka e bënte të vështirë realizimin e këtij filmi, ishte krijimi i të njëjtës atmosferë si 30 vjet më parë. I kthyer në një nga lagjet më moderne në Shqipëri, ish-Blloku i sotshëm nuk ka më asgjë të përbashkët me ish-Bllokun komunist. Kjo e çoi grupin realizues të “Amanetit” në Pogradec, ku ruhen ende vilat e  pushimit të ish-udhëheqjes. Pastaj në Tiranë është xhiruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë ish-Komitetit Qendror, sot Kryesia e Kuvendit Popullor, në kompleksin e ministrive etj. Në ato pak plane që zbulohen nga xhirimet shihen aktorë të rinj, që e kanë jetuar pak ose aspak diktaturën, të veshur me pantallona terital e këmisha nxjerrë jashtë xhaketës… “Mund të them se është bërë një punë shumë e mirë me skenografinë. Ndërsa me regjisorin kemi qenë në simbiozë. Gjithçka që ai më tregonte, jam përpjekur ta kthej në imazh. Them se kemi bërë një punë të mirë. E shpresoj këtë për filmin, por dhe për shqiptarët”, thotë drejtori i fotografisë, Nino Celeste, teksa shprehet se gjatë gjithë kësaj periudhe është përpjekur të mësojë sa më shumë rreth Shqipërisë, për të kuptuar se si kanë jetuar shqiptarët në vitet ’80. “Në Itali, thuajse nuk dihej asgjë nga ajo çka ndodhte në Shqipëri, ndaj jam përpjekur ta vë veten në vendin e personazheve”, thotë Celeste, i cili shprehet shumë i kënaqur nga puna me stafin shqiptar. “Shqiptarët janë zotërinj të vërtetë. Janë të hapur për të dëgjuar, ndërsa aktorët janë shumë të zotët, qofshin këta të vjetër e të rinj”.

Bashkëshortja me baba shqiptar

Lidhja e Sebastiano Celestes me Shqipërinë nuk është edhe aq e “rastësishme”. Ndërsa bisedojmë rreth eksperiencave të tij në Shqipëri, gjatë bashkëpunimeve me Besnik Bishën, Saimir Kumbaron e Namik Ajazin, ai zbulon se ka edhe një fije tjetër që e lidh me Shqipërinë. Dhe kjo fije lidhjeje është pikërisht bashkëshortja e tij, Maria. Babai i gruas sime ishte shqiptar. Ka qenë një njeri i pushtetshëm në Shqipëri, të cilin e kanë vrarë në një atentat”, tregon Nino Celeste. Maria është e bija e kapitenit Feridon Minarolli. Siç tregon Celeste, pas viteve ’90, fillimisht përmes telefonit kontaktuan me të afërmit e Marias, të cilët nuk i kishte njohur kurrë më parë.

/a.m. Panorama/