Ujësjellës Kanalizime Durrës, nisi sot fazën e dytë të aksionit në kuadër të reformës së ujit. Pas fushatës së sensibilizimit, grupet e task-forcës kanë dalë në terren për një kontroll të imtësishëm të të gjithë bizneseve.
Ujësjellësi ka nxjerrë në terren 4 grupe, të cilët mbështeten nga policia e rendit dhe ajo bashkiake. Drejtori i këtij institucioni në Durrës, Spartak Kovaçi shprehet se duke nisur nga sot nuk do të tolerohet asnjë subjekt që nuk ka kontratë apo gjendet me lidhje të paligjshme, pasi për ta do të ketë ndjekje penale.
Një nga bizneset në afërsi të Vorës është zbuluar me lidhje të paligjshme dhe pronari i këtij biznesi, shtetasi me iniciale A.E, është dërguar për ndjekje penale.
Kryeinxhinieri i ujësjellësit të Durrësit Gerald Dautaj i ka bërë thirrje qytetarëve që të nxitojnë sa janë ende në afat, pasi pretendimet për ata që abuzojnë me vjedhjen e ujit të pijshëm do të zbulohen menjëherë qoftë me analizat që kryhen në moment, ashtu edhe me kamerën-sondë që kontrollon pjesën e brendeshme të tubacioneve.
Familjarët që akoma nuk kanë kontarata apo debi ndaj ujësjellësit kanë kohë deri në fund të muajit shkurt, ndërsa për bizneset periudha e pritjes ka përfunduar. Në dy muajt e fundit, dhjetor dhe janar, në sportelet e ujësjellës kanalizime Durrës janë lidhur në total 1200 aktmarrëveshje për pagesën e debisë me anë të kësteve.
Gjithashtu po për këtë periudhë janë lidhur edhe 780 kontrata të reja për furnizimin me ujë. Ujësjellës Kanalizime Durrës ka nisur edhe njoftimin e të gjithë lavazheve që të marrin masa për të gjetur burime të tjera ujore (nga puset) pasi sipas Kodit të Ujit, ato nuk lejohen të furnizohen me ujë të pijshëm. Lavazhet kanë afat deri në fund të muajit shkurt për të kryer këtë proces.





