Policia Bashkiake e Durrësit në bashkëpunim me Ndërmarrjen Rruga, ka vijuar gjatë ditëve të fundit aksionin për heqjen e tabelave dhe reklamave që ishin të vendosura pa leje dhe asnjë lloj kriteri si dhe në mënyrë abuzive, nga subjekte apo firma që ushtrojnë aktivitetet e tyre.

Aksioni është kryer në rrugën “Vëllazërimi” në ish-Kënetë dhe në rrugën “Adria”, duke filluar nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri te stacioni i trenit.

Burime nga Policia Bashkiake, bëjnë të ditur se tabelat ishin kthyer në shqetësim serioz për lëvizjen e kalimtarëve dhe pengonin pamjen vizuale të tabelave sinjalizuese sipas kodit rrugor për drejtuesit e mjeteve.

Këto tabela ishin vendosur në mënyrë private nëpër shtylla të ndriçimit publik duke krijuar rrezik për rrëzimin e tyre.

Drejtori Vasip Çopa në një komunikim për “DurrësLajm”, shprehet i vendosur se Policia Bashkiake nuk do të ndalojë në aksionet e saj deri në ndërgjegjësimin e subjekteve të ndryshme që për çdo ndërhyrje në hapësirat publike duhet të marrin leje. “Në të kundërt, Policia Bashkiake do të marrë masa administrative deri dhe ndjekje penale për shkelësit e ligjit”, thekson Çopa.