Qeveria ka nisur këtë të hënë reformën në sektorin e ujit të pijshëm.
Kryeministri Edi Rama u drejtoi një thirrje publike konsumatorëve që furnizohen me ujë që të vetërregullojnë situatën dhe lidhin kontratat brenda 90 ditëve.
“Njëkohësisht do të nisë prerja e lidhjeve të paligjshme pa penalizime në këtë periudhë tranzitore, për të vazhduar në shkurt me kontrollin derë më derë dhe penalizimet ligjore për çdo vjedhje të ujit”, tha Rama para kryetarëve të 61 bashkive në vend.
“Është një situatë që s’ka si bëhet më keq. Dhe vetëm një reformë e ngjashme me atë që patëm për energjinë elektrike do të na shpëtonte”, tha Rama.
Më tej, shefi i qeverisë sqaroi se aksioni nuk do të fillojë me penalizime. “Vjedhja e ujit si vjedhja e energjisë, dënohet nga kodi penal, por do të japim kohë që të vetërregullohen. Do të fillojmë menjëherë prerjen e lidhjeve të paligjshme, por nuk do të shoqërohet me penalizime për 90 ditë”.
Rama tha se deri në muajin qershor do të pajisen me matësa të gjithë ata që do të vetërregullohen, ndërsa në më pak se një vit, beteja do të fokusohet tek ndryshimi i mendësisë.





