Autoritetet malazeze ndaluan të enjten transmetimin e programeve të 20 mediave ruse, përfshirë shërbimin ballkanik RT (ish Russia Today ) dhe Sputnik.

Me këtë vendim, Podgorica zyrtare vazhdon të veprojë në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian në masat monitoruese ndaj Rusisë, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.

Të gjithë transmetuesit u urdhëruan të ndërpresin programet e mediave ruse dhe të pezullojnë çdo marrëveshje për transmetimin ose shpërndarjen e përmbajtjes së tyre.
Shkelja e këtyre detyrimeve dënohet me gjobë deri në 40 mijë euro, sipas informacioneve të Agjencisë për Media Elektronike të Malit të Zi.
Ndërsa delegacioni i BE-së e përshëndeti përafrimin me politikën e tyre të jashtme, zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova e cilësoi veprimin e Podgoricës zyrtare si armiqësore.

“Vendimi i qeverisë malazeze është akt armiqësor i censurës së pa maskuar dhe këto veprime armiqësore nuk do të kalojnë pa një përgjigje të duhur”, tha zëdhënësja Zakharova.
Ndalimi i mediave ruse nisi pasi Rusia filloi sulmin e saj në Ukrainën fqinje në shkurt të vitit 2022. Dy muaj më vonë, Mali i Zi iu bashkua sanksioneve evropiane, por gjithashtu ndaloi transmetimin e disa shërbimeve të RT (ish Russia Today ) dhe Sputnik.
Që atëherë, qeveria e ka zgjeruar listën, kështu që ajo tani përfshin shtatë shërbime.

“Rusia i përdor të gjitha këto media për të përhapur qëllimisht propagandë dhe për të kryer fushata dezinformuese, duke përfshirë agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës”, tha zyra e Bashkimit Europian në Podgoricë.
Për ta kundërshtuar këtë, BE-ja ka pezulluar transmetimet dhe licencat e disa mediave të mbështetura nga Kremlini që përhapin dezinformata. Ajo vendosi gjithashtu sanksione ndaj organizatave të medias dhe individëve përgjegjës për propagandë dhe dezinformim./Voa