Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se ka nisur të martën rehabilitimi i shtresave asfaltike në aksin rrugor Tiranë-Durrës.
Rruga që ka dëmtime të shumta dhe që jo pak herë është bërë objekt ankese edhe në vitet e shkuara duket se edhe për këtë vit do t’u nënshtrohet arnave të reja në fillim të sezonit turistik veror.
“Në kuadër të zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes, ditën e martë do të fillojë rehabilitimi i shtresave asfaltike të aksit rrugor Tiranë–Durrës. Procesi i punës do të fillojë nga Sukthi në drejtim të Tiranës. Do të punohet me njërën korsi, përkohësisht të bllokuar për një gjatësi prej 500 m, sipas skemave të miratuara të menaxhimit të trafikut në bashkëpunim me Policinë Rrugore.
Njëra korsi lëvizjeje do të jetë e lirë për drejtuesit e mjeteve dhe tjetra do të jetë përkohësisht e bllokuar në një gjatësi prej 500 m. Me përfundimin e punës në këtë gjatësi, bllokimi do të spostohet në 500 m të tjerë për vijimin e punës.
Me qëllim shmangien e aksidenteve, udhëzojmë drejtuesit e mjeteve, të zbatojnë sinjalistikën rrugore të vendosur në objekt. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve për këtë ndërhyrje që do të kryhet”, njoftoi ARRSH.
Ndërkohë në pamjet më poshtë mund të shihni gjendjen aktuale gjatë punimeve në ditën e dytë, të filmuara sot nga “DurrësLajm“.