Prej dy ditësh vijon asfaltimi i një pjese të segmentit rrugor “Taulantia”, në Durrës.
Mjetet e rënda janë duke ndërhyrë në pjesën nga Muzeu Arkeologjik deri tek restorant Aragosta, infrastruktura e së cilës prej kohësh paraqiste problematika të shumta për shkak të gropave të mëdha të krijuara në asfalt.
“Në përgjigje të kërkesës së banorëve ka filluar puna për rikonstruksionin e një segmenti të rrugës “Taulantia””,– shkruan kryebashkiakja Sako në një postim në rrjete sociale.
Vlen të përmendet fakti se ky është një nga akset me lëvizshmërinë më të madhe të mjeteve në qytet, sepse aty pranë ndodhet shëtitorja bregdetare, disa nga lokalet dhe restorantet më në zë të qytetit dhe zona e Currilave.
Asfaltimi i këtij segmenti me shumë ngarkesë pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve, por edhe vizitorëve të shumtë.
Për shkak të punimeve për rehabilitimin e këtij aksi, Policia Bashkiake Durrës doli me një njoftim zyrtar dy ditë më parë ku njoftonte se do të ketë bllokim të pjesshëm të qarkullimit në rrugën “Taulantia”.
Në datat 20-22 prill nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në të dy anët e segmentit ku po kryhen punimet, ndërsa rruga do të jetë pjesërisht e bllokuar dhe qarkullimi do të organizohet në mënyrë të kontrolluar nga efektivët e Policisë Bashkiake.
Ndërhyrja në infrastrukturën e këtij aksi nga ana e bashkisë ndërsa jemi në fushatë elektorale, nuk ka mbetur pa u komentuar nga opozita.
Drejtuesi politik i qarkut Durrës, Oerd Bylykbashi, i ka quajtur asfalt elektoral punimet në infrastrukturë në prag zgjedhjesh.
“Bashkia, pasi e la për një kohe të gjatë në atë derexhe, duke bërë të vuajnë banorët por edhe çdo qytetar i Durrësit, çdo vizitor apo për turp, edhe turistët, zgjodhën të bëjnë atë që dinë më mire: të shtrojnë një shtresë të hollë asfalti elektoral, në shkelje të ligjit që ndalon këto punime në prag zgjedhjesh. Duhej ta bënin me kohë në të mirë të komunitetit, por e përdorin për zgjedhje. Nëse mund ta bëjnë për dy ditë, pse pritën kaq kohë?”,– shkruan Bylykbashi në një postim në rrjete sociale.
M.B.