Starton në Durrës Bienalja  “Netët e Muzikës Klasike” një festival i muzikës klasike që mbledh instrumentistë nga e gjithë bota. Për tetë netë me radhë, duke nisur nga 1 gushti, artdashësit kanë mundësi të shijojnë festivalin e  ndërtuar mbi një strukturë të mirëfilltë tematike, dhe periudhe muzikore.

Florian Vlashi drejtuesi artisitik i festivalit i cili së bashku me bashëshorten, djalin dhe një grup muzikantësh të huaj e vendas sjellin Natën e Muzikës Baroke, Klasike, Romantike, Moderne, Shqiptare, Konkursin“Yjet e Rinj”dhe “Carte Blanche”.

Çdo koncert shfaqet në ambiente të ndryshme të qytetit si Katedralja Shën Luçia, Muzeu Arkeologjik, Jozef Galery, teatri“Aleksandër Moisiu”, Shkolla e muzikës “Jan Kukuzeli” e deri tek një fabrikë e braktisur në rrethinat e qytetit.

Vlashi thotë se do të ketë shfaqje premirë, në nderim të atyre që u persekutuan dhe u harruan  gjatë sistemit komunist.

Familja Vlashi jeton në Spanjë aty ku edhe ka bërë emër me muzikën e saj. Për çdo edicion fituesi i konkursit të të rinjve ftohet nga familja e instrumentistëve Vlashi dhe Grupi Instrumental “Siglo XX” për koncerte në Spanjë. Po ashtu edhe “Siglo XX” luan rregullisht në Bienale. Kështu është krijuar një “urë tingujsh” ndërmjet dy vendeve.

K.H.