Në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme ka nisur faza e dytë e Olimpiadave Kombëtare. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se nxënësit vunë në provë njohuritë e tyre në lëndën e Matematikës.

Nga 24,471 pjesëmarrës në fazën e parë të olimpiadave, plot 9,009 fitues u dalluan për rezultatet e tyre të shkëlqyera në matematikë, fizikë, kimi, biologji, gjuhë shqipe, letërsi, informatikë, histori dhe gjeografi”,- theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu i uroi suksese të gjithë pjesëmarrësve të fazës së dytë të olimpiadave.

Arritjet në olimpiadat kombëtare u japin nxënësve njohje dhe vlerësime, të cilat mund të hapin dyert për mundësi të ndryshme si bursa, programe verore, praktika, projekte kërkimore dhe pranim në institucione të njohura arsimore.

Olimpiada Kombëtare shërben si një platformë për nxënësit, për të shfaqur aftësitë e tyre, aftësitë për zgjidhjen e problemeve, të menduarit kritik dhe krijues; aftësitë që janë kritike për suksesin e tyre në të ardhmen.