Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, nis zyrtarisht furtuna në administratën publike. Departamenti i Administratës i Publike u ka dërguar një shkresë të gjithë punonjësve të administratës në mbarë vendin, që të përgatiten për ristrukturimin e institucioneve, që do të thotë se do të ketë lirim dhe pezullim nga detyra, si dhe transferim nga një institucion në tjetrin. Sipas urdhrit, procesi i transferimit apo përfundimit të marrëdhënies së punës së nëpunësve civile do të kryhet sipas një vendimi të qeverisë datë 17 shkurt 2016.
“Siç jeni në dijeni, për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, do të ketë ndryshime/shkurtime, në funksionet dhe strukturat e ministrive. Ministritë e reja janë dekretuar tashmë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ju njoftojmë se ka filluar procesi i ristrukturimit/mbylljes së ministrisë suaj. Si rrjedhim ju jeni objekt i gjykimit për transferimin apo përfundimin e marrëdhënies suaj në shërbimin civil. Lutemi, të kujdeseni që çdo dokumentacion juaji në lidhje me edukimin, kualifikimin, masat disiplinore, përvojën e punës dhe vlerësimet, të jenë në dosjen tuaj të depozituar pranë njësisë së burimeve njerëzore të ministrisë, pasi ato janë dokumentacion i domosdoshëm për të vendosur mbi ecurinë e marrëdhënies suaj të punës në shërbimin civil”, thuhet në shkresë.
Lirimi nga detyra
Gazeta "Sot" zbardh procedurat që do të ndiqen për shkarkimin nga detyra dhe kategoritë që rrezikohen, bazuar në vendimin e qeverisë datë 17.02.2016. Sipas vendimit, në rastet e lirimit për shkak të mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit, njësia e burimeve njerëzore të institucionit deklaron vendimin për lirimin nga shërbimi civil të nëpunësit civil, bazuar në njoftimin e Komisionit të Ristrukturimit ngritur për ristrukturimin apo mbylljen e institucionit.
“Njësia e burimeve njerëzore deklaron vendimin për lirimin nga shërbimi civil të nëpunësit civil për të gjitha rastet e parashikuara në nenin 66, të ligjit nr.152/2013, menjëherë me konstatimin e tyre. Të drejtën për të propozuar pranë njësisë për burimet njerëzore lirimin nga shërbimi civil të nëpunësit civil e ka edhe eprori direkt. Në këtë rast, njësia e burimeve njerëzore deklaron vendimin për lirimin nga shërbimi civil të arsyetuar 3 (tri) ditë pas propozimit të eprorit direkt”, thuhet në vendim. Sipas tij, nëpunësi që largohet nga shërbimi civil duhet të bëjë të gjitha veprimet e duhura për dorëzimin e detyrës në mënyrë korrekte dhe në përputhje me etikën e nëpunësit civil.
Transferimet
Përveç largimeve nga detyra me ndryshimet në strukturën qeverisëse do të ketë dhe transferime. Sipas procedurave, transferimet për punonjësit e shërbimit civil janë të përhershme dhe të përkohshme. Në rastin e transferimeve të përkohshme, nëpunësi i shërbimit shkon në një institucion tjetër për 6 muaj, për të ngritur rezultatin e punës. Ndërsa në rastin e transferimeve të përhershme, ato vijnë për shkak të mbylljes së ristrukturimit të institucionit, të shkurtimit të vendeve të punës dhe ndryshimit të kritereve të vendeve të punës.
Në bazë të ligjit, nëpunësit e institucionit të ristrukturuar apo të mbyllur njoftohen individualisht nga njësia e burimeve njerëzore për fillimin e procedurës së transferimit apo përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil për shkak të mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, në momentin e miratimit të aktit të ristrukturimit apo mbylljes së institucionit.
Në rastet e mbylljes apo ristrukturimit, njësia përgjegjëse krijon një komision ristrukturimi, i cili shqyrton mundësitë e sistemimit të çdo nëpunësi civil në vendet e lira ekzistuese dhe propozon transferimin e nëpunësit në një pozicion të lirë të së njëjtës kategori apo përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësit. Sipas ligjit, komisioni përbëhet nga tre anëtarë dhe krijohet nga njësia përgjegjëse sipas rastit.
Sa i takon kategorive që preken, komisioni bazohet mbi disa kritere, që janë: vjetërsia e nëpunësit civil në shërbimin civil; vlerësimet e rezultateve në punë të nëpunësve civilë; vlerësimin e fundit që ka pasur nëpunësi në testimin për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë. Ata që kanë pasur rezultate të mira mund të gjejnë një vend tjetër pune, ndërsa ata me pak përvojë dhe performancë të ulët do mbeten pa punë për disa kohë.
/Gazeta "Sot"/





