INDI- Autoritetet indiane pritet që të akuzojnë formalisht pesë personat që kanë dhunuar dhe vrarë një studente 23-vjeçare në Nju Delhi.
Nuk është ende e qartë nëse i dyshuari i gjashtë, në moshë të mitur, do të paraqitet sot para gjykatës.
Asnjë avokat nuk do t'i përfaqësojë autorët e përdhunimit viktima e të cilëve vdiq, në procesin gjyqësor që fillon sot në gjykatën e Nju-Delhit, kumtuan përfaqësuesit e shoqatës së avokatëve.
"Vendosëm që asnjë avokat të mos i mbrojë të akuzuarit për përdhunim sepse do të ishte e pamoralshme të mbrohen në proces", deklaroi Sanxhaj Kumar, avokat dhe anëtar i Këshillit të avokatëve të Gjykatës së qarkut në Nju-Delhi.
Kumar konfirmoi se asnjë nga 2.500 avokatët e regjistruar në Gjykatën e qarkut Saket në Nju-Delhin jugor ku do të gjykohen autorët e krimit, nuk do të marrin pjesë në atë proces dhe se " kanë vendosur të qëndrojnë anash që të sigurojnë drejtësi të shpejtë", që do të thotë se autoritetet patjetër të emërojnë avokatë mbrojtës për autorët e krimit.
Anëtarët e bandës në Nju-Delhi sot do të gjykohen në Gjykatën e qarkut ku policia do t'i prezantojë dëshmitë e grumbulluara prej 1.000 faqesh dhe pritet edhe formalisht të ngrihet akuzë kundër gjashtë personave të cilët më 16 dhjetor e kanë përdhunuar një studente 23 vjeçare të mjekësisë ndërsa e kanë rrahur të dashurin e saj në një autobus në Nju-Delhi. Nga lëndimet e marra ajo vdiq disa ditë më vonë.
Sulmi ka shkaktuar protesta masive kundër dhunës ndaj grave në Indi.
Një polic ka vdekur si pasojë e përleshjeve me protestuesit.