Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka vënë nën hetim tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë të materialeve paramjekësore. Vendimi u mor pas ankesave të konsumatorëve dhe denoncimeve në media.
Nga një monitorim i bërë është konstatuar se ka patur një rritje të konsiderueshme të çmimeve të maskave dhe dezifektantëve në të gjitha rrjetet, si në depo edhe në farmaci të vogla. Hetimi do të shtrihet nga janari deri në maj të këtij viti.
Po ashtu konkurrenca ka vendosur që ky treg të bëjë transparente çmimet, të orientojnë çmimet drejt kostos dhe t’i japin fund abuzimit, ndryshe do të gjobiten me 10% të xhiros.
“Nisur nga disa shqetësime në masmedia dhe ankesave të paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi rritjen e çmimit të materialeve paramjekësore, Autoriteti i Konkurrencës në bazë të nenit 28 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, realizoi një monitorim në këtë treg, i cili konsistoi në vlerësimin e sjelljes së ofruesve të këtyre materiale në të gjitha nivelet e tregtimit (shumicë dhe pakicë).Monitorimi u fokusua në tregtimin e materialeve dezifektant duarsh, alkool dhe maska, për të cilat kërkesa konsumatore ka qenë në rritje si pasojë e situatës së krijuar nga virusi COVID-19”, thuhet në vendim.





