Italia është tronditur nga një aksident tragjik që ndodhi në Mestre të Venecias, ku një autobus ra nga mbikalimi i Vempës.
Në bordin e autobusit kishte një grup turistësh të huaj, duke përfshirë ukrainas, francezë, kroatë dhe gjermanë, të cilët po ktheheshin në Marghera pasi kishin qenë në Venecia.
Mes viktimave është një i porsalindur dhe dy fëmijë të mitur. Automjeti është përplasur pasi ka prekur telat e energjisë elektrike, duke rënë rreth 30 metra. Ndër hipotezat e para të aksidentit ishte gjendja shëndetësore e drejtuesit të mjetit, një 40-vjeçar italian i cili ishte gjithashtu mes viktimave. Kryetari i bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro u shpreh: Një tragjedi e madhe, qyteti është në zi.
Prokuroria e Venecias ka hapur një hetim mbi këtë aksident
Katër të plagosurit më rëndë në aksidentin e autobusit që u rrëzua në Mestre, ishin të moshës 20 deri në 30 vjeç. Sipas asaj që është mësuar, tre janë të shtruar në terapi intensive në spitalin Angelo në Mestre dhe një në Dolo.
Mes viktimave ishin tre fëmijë
Në mesin e 21 viktimave të aksidentit të autobusit që ndodhi në Mestre është një i porsalindur pak muajsh, një 12-vjeçare dhe një vajzë tjetër e vogël. Këtë e ka bërë të ditur Paolo Rosi, koordinator i Suem 118 Veneto. Gjatë natës nuk pati asnjë të vdekur në mesin e 15 të plagosurve të dërguar në spitalet e Qarkut. Katër prej tyre, në terapi intensive, ende nuk janë identifikuar. Ndër 21 viktimat, 7 tashmë janë identifikuar.