*Punimet ndahen në dy faza, ndërpriten vetëm gjatë muajve të verës.

Rruga “Egnatia”, një prej tre arterieve kryesore që ka Durrësi, që nis nga kryqëzimi i tregut valutor deri te hyrja e portit duke përshkuar segmentin në dy qendrat tregtare “FlagShip” e “BlueStar”, ka nisur t’i nënshtrohet rikonstukionit total.

Rreth 181 milionë lekë të rinj janë financuar nga bashkia për rikualifikimin e të gjithë zonës ku përfshihen rruga kryesore, kuartallet brenda pallateve, asfaltimi i rrugës, trotuaret e reja, ndriçimi, gjelbërimi dhe çdo element që përfshin rikualifikimi.

Burimet zyrtare nga bashkia e Durrësit, kanë bërë me dije për “DurrësLajm” se punimet janë ndarë në dy faza: ku faza e parë përfshin rikonstruksion të rrugës nga dyqani “EHV” në kryqëzimin e tregut valutor – “FlagShip”, e përfundon te shkolla “Jusuf Puka” së bashku me rikualifikimin  të gjithë kuartalleve të banimit përgjatë rrugës paralel me portin. Faza e parë e punimeve e cila ka nisur pak ditë më parë me hapjen e rrugës kryesore e vendosjen e tubave të kanalizimeve, pritet të përfundojë deri në fund të vitit, sipas afatit të përcaktuar nga ana e bashkisë për firmën fituese të tenderit.

Faza e dytë e punimeve pritet të nisë vitin e ardhshëm dhe përfshin punme nga shkolla “Jusuf Puka” deri te stacioni i trenit.

Burimet nga bashkia e Durrësit kanë bërë me dije se punimet do të ndërpriten gjatë dy muajve të verës me qëllim që të mos pengohet trafiku në rrugë dhe të mos shkaktohet pluhur, për të nisur sërish në shtator.

Po kështu nga të dhënat teknike “DurrësLajm” ka mësuar se rruga do të pësojë transformime të mëdha. Trotuaret do të zgjerohen dhe rruga do të ngushtohet për automjetet që qarkullojnë. Disa rrethrrotullime në kryqëzime, pritet të ndërtohen përgjatë rrugës ndërsa nuk do të hiqet parikimi por do të kufizohet numri I parkingjeve të makinave në anë të rrugës. Rruga do të vishet me asfalt dhe jo me kalldrëm, për të mos patur vështirësi me qarkullimin.

Edhe rruga tjetër po kaq e rëndësishme nga “Mauzoleumi” deri te sheshi “Liria” është në rikonstruksion me një projekt të ngjashëm, ku kufizohet qarkullimi i makinave dhe i jepet përparësi këmbësorëve.

K.H.