Në ambientet e Fakultetit të Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës nisi Java Shkencore Ndërkombëtare, një ngjarje me rëndësi të veçantë akademike dhe shkencore.

Ky aktivitet synon të promovojë ndërkombëtarizimin, bashkëpunimin akademik dhe kërkimin shkencor, duke bërë së bashku partnerë, profesorë dhe studentë nga disa vende europiane.

Ceremonia e hapjes u zhvillua në ambientet e fakultetit, gjatë të cilës rektori i UAMD-së Shkëlqim Fortuzi dhe dekani i Fakultetit të Biznesit Llambi Prendi, theksuan rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare si një faktor kyç për zhvillimin akademik dhe integrimin europian të universitetit.

Rektori Fortuzi tha se UAMD ka dyfishuar buxhetin e dedikuar për kërkimin shkencor, një nismë që synon të motivojë stafin akademik drejt projekteve kërkimore cilësore dhe publikimeve në revista të indeksuara në Scopus.

“Synimi ynë është i qartë, të rrisim impaktin ndërkombëtar të UAMD dhe ta forcojmë pozitën tonë si një institucion që ndjek standardet më të larta evropiane në arsimin e lartë,” – u shpreh Fortuzi.

Në vijim, partnerët ndërkombëtarë prezantuan aktivitetet e tyre akademike dhe mundësitë e bashkëpunimit, duke përfshirë përfaqësues nga universitetet partnere nga Franca, Gjermania, Italia, Portugalia, Rumania dhe Letonia.

Dita e parë vijoi me zhvillimin e një sërë workshop-esh dhe leksionesh të hapura, ku u trajtuan tema aktuale si: “Menaxhimi efektiv i aktorëve gjatë ndryshimeve organizative”, nga PhD. Ieva Zaumane, Vidzeme University of Applied Sciences, Letoni; “Politika monetare europiane: struktura dhe çështje aktuale”, nga Prof. Dr. Tobias Knedlik, Hochschule Fulda, Gjermani; “Projektet e suksesshme në turizmin rajonal – Rasti i Sibiu”, nga Assoc. Prof. Cosmin Tileagă, Lucian Blaga University of Sibiu, Rumani; “Sigurimet si mekanizëm për transferimin e riskut dhe mundësi investimi”, nga znj. Lyela Rama dhe znj. Marsela Saraçi.

Në ditët e javës shkencore ndërkombëtare në qendër të vëmendjes do të jetë edhe Alumni Talk, ku ish-studenti i Fakultetit të Biznesit,  Lauren Xhelilaj, do të ndajë përvojën e tij si Business Advisor në sektorin bankar.

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare, diten e mërkurë do të mbahet edhe Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, me temë: “Transforming economies: Innovation, Sustainability and Economic Development in the EU Integration era” si dhe workshope të tjera.

Gjthashtu per studentet e doktoratures dhe për lektoret do të zhvillohet workshop-i tematik: “Effective Publishing in Scopus: Insights, Tips, and Best Practices”, nga Prof. Dr. Bruno Sergio Sergi, University of Messina, Itali.

Pjesë e programit është edhe Konferenca Studentore, ku studentët e Fakultetit të Biznesit do të prezantojnë projektet e tyre kërkimore. Në fokus janë gjithashtu mundësitë e bashkëpunimit për diploma të dyfishta, përmes workshop-it të zhvilluar nga InstitutoPolytechnic de Bragança në bashkëpunim me Departamentin e Menaxhimit të Fakultetit.

Java do të  mbyllet me një aktivitet kulturor me vizitë në ekspozitën “Peeping Tourist Exhibition” dhe në “Place of Cultures and Creativity – MuZEH Lab”, nën udhëheqjen e lektoreve të departamentit të turizmit Dr. Dorina Xheraj-Subashi dhe Dr. Brunilda Licaj, duke sjellë për të ftuarit një përvojë unike të trashëgimisë kulturore të Durrësit.