Mançester Siti dhe Mançester Junajtid janë që të dy gati që t’i ofrojnë Herri Kejnit 300 mijë paund në javë rrogë bazë. Kapiteni i Anglisë shkaktoi tërmet pasi njoftoi klubin e Totenhemit këtë javë se dëshiron që të largohet në verë. Dy klubet e Mançesterit janë destinacione të mundshme, por “Qytetarët” janë favoritë. “The Sun” zbulon se dy gjigantët e Premier Ligës po bëjnë gati një kontratë faraonike për ta bindur bomberin 27-vjeçar që t’i zgjedhë ata në hapin e ardhshëm në karrierë.

Kejnit do t’i ofrohet një kontratë prej 300 mijë paundësh në javë, 5- vjeçare, plot 70 mijë paund më shumë se rroga e tij bazë javore te “Spërsat”. Pavarësisht nga vështirësitë të Koronavirusit, dy Mançesterët nuk mund ta lënë t’u shpëtojë një rast i tillë dhe janë të gatshëm të ofrojnë një paketë prej 80 milionë paundësh vetëm për futbollistin. Kartoni i Kejnit kushton te 150 milionë paundët, duke qenë se ai ka edhe tri vite kontratë dhe presidenti Daniel Levi është në një pozicion komod për të negociuar me klubet e interesuara.

Pas humbjes me Brajtonin të martën, trajneri i Sitit, Pep Guardiola, nuk pranoi të komentonte: “Pyetjen tjetër ju lutem. Ai është një lojtar i Totenhemit”.Por, as tekniku i “Djajve”, Ole Gunar Solskjaer, nuk pranoi të thoshte diçka më shumë për futbollistët e skuadrave të tjera: “Ne po përpiqemi të forcojmë skuadrën sigurisht. Ka shumë gjëra që do të marrim në konsideratë kur ndërtojmë një ekip. Kjo nuk do të thotë se meqë Edi qëndron, nuk do të vijë dikush tjetër në atë rol, por unë nuk mund të flas për futbollistë të skuadrave të tjera. Mendoj se tani më njihni shumë mirë dhe nuk do të ishte e respektueshme për asnjë skuadër dhe për asnjë lojtar. Ka shumë futbollistë të mirë atje. Mund të them se Mesi është interesant dhe Ronaldo gjithashtu, por nuk mund të flas për ta”.