• Dorëzimi i beftë i Lulzim Bashës, duke deklaruar nga Brukseli pranimin e hartës së re territoriale dhe pjesëmarrjen në zgjedhje, e ka ngarkuar më tej atmosferën para betejës së 21 Qershorit.

  26 janar 2015 –  Kryeministri Rama, mbi të cilin bie pesha më e madhe e përgjegjësisë për këtë sfidë, ka dhënë disa sinjale dhe ka ndërmarrë disa hapa konkrete, në funksion të projektimit të aleancës parazgjedhore dhe piketimit të kandidatëve.   Në 23 vjetorin e FRESH, Rama doli në krah të Ilir Metës, duke konfirmuar aleancën PS-LSI, jo vetëm për zgjedhjet lokale, por edhe për zgjedhjet e 2017.

Në të njëjtën kohë, kryeministri ka bindur dhe zbutur me poste aleatët e tjerë që kishte në zgjedhjet e 2013, të cilët kanë konfirmuar rreshtimin në krah të fronit të mazhorancës në zgjedhjet e 21 Qershorit. Sa i takon, piketimit të kandidatëve, kryeministri ka urdhëruar deputetët që të sjellin propozimet, por paraprakisht mësohet se Rama është shprehur i prerë, që kryebashkiakët aktualë me dy dhe tre mandate, nuk do të kandidojnë për një mandat tjetër. Ndërkaq, një betejë e nëndheshme, plot lobime, ndërhyrje dhe paraskena për zhvillohet, për të caktuar kandidatët, të cilët do t’i paraqiten kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, për të vendosur vulën e fundit.

  Vëmendja më e madhe është përqendruar në Tiranë, por pas deklaratës mohuese të Monika Kryemadhit, e konsideruar si një kandidate potenciale, vëmendja është përqendruar tek bashkitë e tejra të mëdha, si Shkodra, Vlora, Elbasani, Durrësi etj.

Sipas burimeve, për Bashkinë e Shkodrës, më e madhja në veri të vendit, në skenë ka dalë një tjetër kandidat. Ai është Luan Arusha, i cili mësohet se ka mbështetjen e PS dhe të LSI. Ndonëse kandidati më potencial dhe më i mbështetur, si nga baza, kryeministri Rama dhe ashtu edhe nga kupola e PS, është Namik Kopliku, në llogaritë e PS ka hyrë edhe Luan Arusha. Ky i fundit pritet të jetë asi nën mëngë i Ramës, nëse Kopliku nuk do të pranojë të kandidojë.

Ndërkaq, disa ditë më parë është përfolur si kandidate e mundshme edhe Keti Bazhdari. Por, konkretizimi i Bazhdarit si kandidate nuk varet thjeshtë nga dëshira e Ramës apo nga raportet e saj të mira me kryeministrin. Janë disa faktorë të tjerë që do të përcaktojnë kandidatët. Konkretisht, për propozimin e kandidatit, rol përcaktues do të kenë disa figura të PS, që përfaqësojnë Shkodrën në Parlament dhe që kanë dhënë një kontribut të madh për fitoren e së majtës në zgjedhjet e 23 Qershorit.   

Sajmir Tahiri dhe Fate Velaj për Vlorën 

  Presioni brenda mazhorancës, për të gjetur një zgjidhje të butë, për largimin e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, është i madh. Ministri Tahiri konsiderohet si pika më e dobët e qeverisë dhe qendra e gravitetit ku janë përqendruar të gjitha sulmet e opozitës dhe pakënaqësia e opinionit publik. Në kushtet, kur Tahiri e ka dorëzuar edhe mandatin e deputetit, kryeministri Rama duket se e ka piketuar si kandidat për Bashkinë e Vlorës. Zërat për këtë lëvizje bëhen edhe më të besueshëm, pasi ministri Tahiri mësohet se ka dy muaj se është transferuar si banor i Qarkut të Vlorës, kusht ky për të qenë kandidat. Ndërkaq, emri i Tahirit si kandidat i mundshëm ka nisur të lakohet edhe në strukturat e Partisë Socialiste të Vlorës.   

Fate Velaj, opsioni i dytë 

  Përpos Tahirit, si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Vlorës, ka nisur të lakohet edhe Fate Velaj, një prej këshilltarëve të kryeministrit Edi Rama. Këshilltari i kryeministrit për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Europiane, ka nisur të përflitet edhe në Vlorë. Ndërkaq, kryeministri Rama mësohet se është i vendosur që Shpëtim Gjikën të mos e kandidojë për një mandat tjetër. Edhe katër vjet më parë, Rama nuk ishte plotësisht dakord për Gjikën, por presioni i këtij të fundit ishte shumë i fortë. Gjithsesi, në përcaktimin e kandidatit për Bashkinë e Vlorës, një rol të rëndësishëm pritet të luajë deputeti Koço Kokëdhima.  

Nuk do kandidojnë kryebashkiakët aktualë

    Sipas burimeve, kryeministri Edi Rama nuk do të rikandidojë rreth 70 % të kryebashkiakëve aktualë në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015. Ky lajm që ka qarkulluar që para Vitit të Ri, vijon të konfirmohet edhe gjatë ditëve të fundit. Kryeministri Rama duket se ka vendosur të rrezikojë në këto zgjedhje lokale, duke dalë me kandidatë të rinj, për shumicën e bashkive kryesore.

Në fakt, ky është mendimi i strukturave të Partisë Socialiste, mendim i mbledhur për disa javë me radhë nga grupi i punës, i ngritur për përgatitjen e zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit. Mësohet se opinioni i strukturave ka qenë negativ për kryebashkiakët aktualë, ç’ka pritet të reflektohet edhe në përzgjedhjen përfundimtare të kandidaturave. Konkretisht PS do të propozojë kandidatë të rinj në Vlorë, Elbasan, Fier etj.

/gazeta "Sot"/