Ka nisur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
Aty janë të pranishëm anëtarët socialistë të Këshillit të cilëve iu është bashkuar edhe Enkelejd Alibeaj si anëtar nga radhët e opozitës.
Po ashtu të pranishëm janë edhe prokurorët e SPAK që kanë në hetim çështjen, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Ish-kryeministri Berisha në një deklaratë për mediat para mbledhjes tha se nuk mund ta pranonte të ishte aty pasi poshtërohet Kuvendi. Ai po përfaqësohet nga avokatët e tij.
Ndërkaq në nisje të mbledhjes fjalën e ka mbajtur avokati i ish-kryeministrit Berisha.
Avokati Genc Gjokutaj kërkoi që të shtyhet mbledhja deri në shprehjen e Gjykatës Kushtetuese për masat e sigurisë të dhëna ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Kjo çështje ka filluar më parë, odiseja e masave të sigurimit, jo procedimi dhe çdo rezultat i atij procedimi ka filluar në muajin tetor. Masat e mëparshme janë marrë me kërkesë të SPAK drejtuar GJKKO.
Ne do të paraqisim një vendim që masa e sigurisë Detyrim paraqitje është dhënë me autorizimin e Kuvendit. Është vendimi 104 të vitit 2017 që bëhet fjalë për ish-deputetin Saimir Tahiri dhe në atë rast Kuvendi ka dhënë autorizimin dhe për masat e sigurisë “Arrest me burg” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Ne kërkojmë pezullimin e kësaj seance dhe unë dua t’ju shpjegoj pse e kërkojmë. Ju mund ta merrni vendimin, por ne duhet ta shpjegojmë. Kërkojmë të pezullohet seanca deri në dhënien e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me nenin 73”, tha Gjokutaj.