Këshilli Bashkiak i Durrësit po mban mbledhjen e radhës mëngjesin e sotëm në sallën e qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu”.
Ndërkohë që pritet miratimi i 3 pikave që janë në rend dite, është hequr nga rendi i ditës pika 4 “Për miratimin e listës së përfituesve nga programi i rindërtimit në njësitë administrative nr. 1, 2, 4, 5, 6, Sukth, Katund i Ri, Ishëm dhe Manëz, bashkia Durrës”.
Kjo pikë është shtyrë për në mbledhjen e radhës, pasi 29 anëtarë votuan pro heqjes nga rendi i ditës, me arsyetimin se materiali kishte mbërritur shumë vonë dhe anëtarët e KB nuk kishin pasur kohe ta shqyrtonin.
Kërkesa për shtyrjen në mbledhjen e radhës u bë nga Elio Jani, kryetar Komisionit të Strehimit dhe Shërbimeve Publike.





