Mbledhja jashtë radhe e Këshillit Bashkiak Durrës nisi me një vonesë prej 23 minutash, për shkak se nuk plotësohej kuorumi i nevojshëm i këshilltarëve të pranishëm.

Në rendin e ditës ishin planifikuar të kalonin për miratim 4 pika, po ndërsa dy të parat kaluan me unanimitet të plotë, me votat e 28 këshilltarëve në sallë, pikat 3 dhe 4 e rendit të ditës shkaktuan diskutime mes këshilltarëve. Ishte këshilltarja nga partia Bindja Demokratike, Morena Boja, e cila kërkoi nga kryetarët e komisioneve përkatëse sqarime mbi bazën ligjore për përfshirjen e dy qytetarëve si përfitues nga procesi i rindërtimit në lagjen nr.17, sepse sipas saj mund të bëhej fjalë për përzgjedhje selektive.

Kryebashkiakja Emiriana Sako, në përgjigjen e saj, theksoi se bashkia Durrës i ka kushtuar procesit të rindërtimit vëmendje maksimale dhe gati 3 vite pas tërmetit vijojnë të shqyrtohen ankesat e qytetarëve.

Ndërhyrja e këshilltares Boja në çastet kur kryebashkiakja Sako po sqaronte problematikat e rindërtimit, krijoi edhe një moment tensioni mes tyre.

Këshilli Bashkiak Durrës miratoi në këtë mbledhje jashtë radhe shtyrjen e pagesës së taksave dhe tarifave vendore nga data 20 prill për në datën 31 maj, me arsyetimin për shkak të rritjes së kostove të karburantit dhe shpenzimeve të tjera.