Banorët e Thumanës kanë dalë pasditen e sotme në protestë në lidhje me rrugën e re Thumanë-Kashar. Ata kanë bllokuar qarkullimin ndërsa në vendngjarje ka forca të shumta policie. 

Disa protestues janë ulur në asfalt ndërsa kanë bërë thirrje policisë të bëjnë punën e tyre teksa ata kërkojnë të drejtën e tyre për të protestuar.

Ata gjithashtu janë shprehur se nuk janë kundër zhvillimit por me rrugën e re ata po bllokohen gjë e cila po sjell falimentimin e 1500 bizneseve.

Sipas tyre ata nuk kanë akses në autostradë ndërsa kanë theksuar se kanë protestuar edhe 5 herë të tjera në mënyrë paqësore.

“Rruga e re Thumanë-Kashar ka bërë që shumë biznese tonat, të shkojnë drejt falimentimit. Ne nuk kemi akses në rrugën Thumanë-Kashar. Na kanë bllokuar hyrje-daljet në rrugë”, kanë thënë protestuesit.