Ka nisur misioni për shpëtimin e 12 futbollistëve të vegjël dhe trajnerit të tyre, të bllokuar në një shpellë prej dy javësh në Tajlandë. Ekipet e shpëtimit hynë në shpellë në orën 10 me atë lokale (5:00 të mëngjesit me tonën), ndërkohë që në hyrjen e saj kanë mbetur vetëm ekipet e zhytjes, mjekët dhe forcat e sigurisë.
Nëse gjithçka shkon mirë, i pari që do të dalë nga shpella mund ta bëjë këtë në orën 21:00 të mbrëmjes me atë lokale, (16:00 me tonën), ndërkohë që mendohet që operacioni të zgjasë të paktën disa ditë.
Tashmë, 13 zhytës të huaj dhe 5 nga Marina e Tajlandës janë përfshirë në këtë mision të vështirë. Për planin e shpëtimit janë informuar si grupi i djemve të bllokuar, ashtu dhe familjarët e tyre.
Djemtë ishin duke eksploruar shpellën më 23 qershor, kur u detyruan të mbeteshin aty të bllokuar si pasojë e vërshimit të ujërave brenda saj.