Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kanë nisur sot muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjatë këtij muajit të bekuar, një pjesë e konsiderueshme e tyre mbajnë agjërim, që është një nga 5 kushtet e fesë islame.

Edhe në Durrës të shumtë janë besimtarët myslimanë që kanë nisur agjërimin.

Imami i xhamisë së madhe të qytetit Ervin Qylafku thotë se vit pas viti ka një numër të shtuar të besimtarëve që kryejnë ritet e faljes dhe agjërimit, sidomos në moshat e reja.

“Ndryshimi që vihet re nga vite më parë është ndryshimi i brezave. Më parë ishin më shumë të vjetrit që vinin në xhami, ndërsa tani kemi rigjenerim të brezave. Dikur kemi pasur mungesë të madhe në fashën 20-30-40 vjeç, ndërsa sot kjo fashë është plotësuar”.

Për këtë arsye, ndërtimi i një xhamie të re në qytetin bregdetar po shihet si një opsion nga drejtuesit e këtij komuniteti.

“Jo më larg se dje ishim duke biseduar me disa miq e shokë, sepse kapaciteti i xhamisë në ditët e premte nuk i mbulon dot të gjithë besimtarët. Është e nevojshme të ndërtojmë një xhami të re, në një zonë këtu pranë, jo pranë qendrës, por brenda në qytet. Në një zonë që të mbulojë kapacitetin e madh të besimtarëve që falen. E kemi diskutuar si projekt, por ajo që mungon është fondi. Vlera e tokës është e shtrenjtë, sepse donatorë ka. Por donatorët e huaj nuk investojnë për blerjen e tokës por për objektin”.

Në urimin e tij për besimtarët, imami Qylafku thekson: “Qoftë një muaj i mbarë, i begatë dhe të gjithë besimtarëve u uroj Gëzuar Ramazanin dhe zoti ua shpërbleftë tërë sakrificën që do të bëjnë”.

M.B.