Prej disa ditësh, ka nisur zbatimi i projektit për rijetësimin e Kullës Veneciane, rikonstruksioni i së cilës po realizohet përmes programit Eu4Culture, me një vlerë prej rreth 690 mijë euro.
Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, deklaron se punimet pritet të zgjasin 6 muaj dhe në përfundim të tyre Torra do të ofrojë për të gjithë turistët e huaj një qendër interpretimi digjital të trashëgimisë kulturore.
Programi EU4Culture, i cili nisi si një ndihmë e Komunitetit Evropian për restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti, përfshin ndërhyrjen në shumë monumente të qytetit bregdetar. Shumë shpejt pritet të nisë ndërhyrja në Hamam, monument kulture i kategorisë së parë, ndërsa gjatë verës pritet ndërhyrja për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik.
Dy vitet e pandemisë Covid-19 u bënë shkak për uljen e ndjeshme të numrit të turistëve të huaj në vendin tonë dhe për rrjedhojë edhe të vizitorëve në monumentet e trashëgimisë kulturore në Durrës. Por lajm i mirë është fakti se viti 2022 ka hyrë me këmbë të mbarë dhe vetëm në janar janë regjistruar plot 308 vizitorë, më shumë se dyfishi i atyre të së njëjtës periudhë të vitit 2021, kur u regjistruan 114 turistë.
Krahas monumenteve të kulturës në Durrës, programi EU4Culture po realizon restaurimin edhe të dy objekteve të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulture që janë nën juridiksionin e drejtorisë rajonale siç janë Muzeu Etnografik i Krujës dhe ai i Kavajës. Ndërkohë po realizohet projekti për ndërhyrjen në Muzeun Etnografik të Durrësit, i cili qëndron i mbyllur prej më shumë se 2 vitesh, që pas tërmetit të frikshëm të 26 nëntorit 2019.
M.B.