Prej disa ditësh, ka nisur puna për rikualifikimin e fasadave të pallateve në bllokun e banimit në lagjen nr.18.
Nga burime nga bashkia, “DurrësLajm” mëson se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka akorduar një fond prej rreth 155 milionë lekë për rikualifikimin e 26 pallateve parafabrikate.
Ndërhyrjet rigjeneruese që po realizohen në fasadat e këtyre godinave 5 dhe 6 katëshe përfshijnë punimet për hidroizolimin e tyre, veshjen me kapotë, sistemimin e taracës etj.
Në shumicën e pallateve të kësaj zone janë ngritur tashmë skelat, ndërsa punëtorët janë duke realizuar suvatimet e nevojshme dhe veshjen me kapotë.
Ndërhyrja rigjeneruese në këtë bllok banimi nuk ka lidhje me procesin e rindërtimit. Kujtojmë se lagjja nr.18 ishte ndër zonat më të dëmtuara nga lëkundja sizmike e 26 nëntorit të vitit 2019.
Në përfundim të punimeve, banorët e këtyre pallateve do të jetojnë në godina të rikonstruktuara dhe më të sigurta se më parë.
M.B.