Sot nisën punimet për rindërtimin e banesave individuale në Farkë, të cilat pësuan dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj morën pjesë në vendosjen e tullës së parë të ndërtimit të banesës së familjes së Ardjan Allaraj, ndërsa në familjen Dashamir Paci nisi puna për pastrimin e terrenit për të filluar edhe aty rindërtimi.

Jemi tek 53 shtëpi që u është lidhur kontrata; 20 shtëpi që janë 3+1; 20 shtëpi të tjera që janë 2+1 dhe pastaj kemi 13 shtëpi që janë 1+1 që janë familje më të vogla. Afatin e ka për 8 javë. Do vijojmë me këtë ritëm deri sa t’i mbarojmë këto 53, që është vetëm loti i parë”, tha Veliaj.

Kryeministri Rama e cilësoi një ditë të shënuar nisjen e punimeve për rindërtimin e banesave të reja dhe siguroi edhe familjet e tjera për strehimin brenda një kohë të shkurtër në shtëpitë e tyre të reja.

 “Kjo është një ditë e shënuar, sepse më në fund , pasi janë bërë të gjithë konstatimet, verifikimet, riverifikimet e ankesave , planifikimet, projektimet, prokurimet, fillojmë vendosim tullat, muret, fillojmë të hapim segmentin e fundit të rrugës së rindërtimit. Dua t’u them të gjithë familjeve që sot jetojnë ende në çadër, që sot janë ende në shtëpi me qira, këtu nga kjo pikë e Tiranës që nëse këto familje do të hyjnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt, me siguri, deri më 26 nëntor , shumë e shumë të tjerë do jenë në shtëpitë e tyre, për ta kujtuar këtë vit si një vit i cili ndryshon jetën e tyre, pasi  do jenë në shtëpi shumë më të mira, më të forta, me kushte absolutisht të tjera dhe do jenë në zonat, ku ndërtimi do të bëhet si një lagje e re, në një hapësirë komunitare, me krejt të tjera mundësi, shërbime e cilësi jete”, theksoi Rama.

Rama theksoi se deri për vit të ri një pjesë e konsiderueshme e familjeve do të gëzojnë në banesat e reja, ndërsa tha se puna do të vijojë edhe me lagjet e reja dhe pallatet.