Në Njësinë Administrative Sukth, përgjatë lumit Erzen po ndërtohet një bankinë e gjatë 3 km, e cila do të parandalojë daljen e lumit nga shtrati!

Lajmin e mirë për këtë ndërhyrje me rëndësi parësore për banorët e zonës, e jep deputeti i Durrësit Jurgis Çyrbja, i cili ka marrë pjesë sot në inspektimin e punimeve të ndërtimit të bankinës së lumit Erzen.

Për t’i bërë pritë të papriturave që mund të sjellë moti i keq, deputeti Çyrbja zotohet se së bashku me Bashkinë Durrës dhe në bashkëpunim me Bordin e Kullimit, do të ndjeki hap pas hapi punën e cila do të mbrojë 500 familjet e prekura vitet e kaluara nga përmbytjet në këtë zonë.

I pranishëm kudo pranë banorëve jo vetëm të Njësisë Administrative Ishëm dhe Manëz, deputeti Çyrbja sot nga njësia Administrative Sukth, ku shoqërohej nga kryetari i njësisë, punonjës dhe banorë të zonës, ka dëgjuar problematikat e tyre duke premtuar se çdo shqetësim i këtyre banorëve do të përcillet dhe se zëri i tyre do të dëgjohet.

“Ndaj dëgjova me vëmëndje të gjitha shqetësimet e banorëve, me besimin dhe vullnetin se problemet e tyre nuk do të përsëriten.

Duke e bërë një vend më të sigurt gjatë dimrit, banorët do të kenë më shumë mundësi për zhvillimin e zones”, thekson Jurgis Çyrbja në faqen e tij në “Facebook”.

*Më poshtë mund të shihni fotot e publikuara nga deputeti gjatë punimeve: