Klubi i Shumësporteve Teuta organizoi këtë fundjavë në Durrës Kampionatin Amator të Volejbollit Mix.

Eventi sportiv ku marrin pjesë 8 ekipe nga institucionet shtetërore, UAMD dhe kompani private po zhvillohet këtë të shtunë në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, ndërsa finalja do të kulmojë ditën e diel.

Në ndeshjen e parë të këtij aktiviteti sportiv u përballën ekipi i Policisë së Shtetit me studentët e UAMD-së. Fitorja ishte synimi kryesor i dy skuadrave.

Ekipet pjesëmarrëse përbëhen nga 6 lojtarë meshkuj dhe femra. Qëllimi i eventit, i pari i këtij lloji në Durrës, synon jo vetëm orientimin e vëmendjes drejt aktivitetit sportiv, por edhe forcimin e frymës së bashkëpunimit mes institucioneve dhe bizneseve.

Argëtimi përmes sportit forcon edhe më shumë marrëdhëniet ndërpersonale mes ekipeve dhe lojtarëve amatorë gjë që u vu re më së miri mes skuadrave pjesëmarrëse, ku pavarësisht rivalitetit, pozitiviteti ishte gjithçka që transmetohej në fushën e lojës.

M.B.