Ka nisur në GJKKO seanca për kreun e zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Belerit. Avokatët e tij kërkojnë lirimin nga qelia. Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit me akuzën e shit-blerjes së votave.

Së bashku me një bashkëpunëtorin e tij, i cili dyshohet se ka paguar para disa personave kundrejt votës së 14 majit.

Beleri i fitoi zgjedhjet megjithatë nuk e ka gëzuar asnjë ditë mandatin e tij, pasi mbahet në burgun  e Vlorës. Tani që 3 muajt po kalojnë, skadon edhe afati i tij për t’u betuar si kryebashkiaku i ri i Himarës. Kjo do të thotë që zgjedhjet në këtë bashki mund të përsëriten.

Presione të forta ka pasur edhe nga Greqia për lirimin e Belerit. Janë zhvilluar dy protesta në qytetin e Himarës me pjesëmarrjen edhe të kreut të bashkisë së Athinës dhe të Selanikut.

Gjithashtu për Belerin është folur edhe në mediat greke, ku theksohet se ai po mbahet me të padrejtë në paraburgim dhe akuzat ndaj tij janë të pabaza.