Ka nisur sot në Gjykatën e Durrësit seanca gjyqësore mes Bujar Nishanit dhe ish-zv/kryeministrit Bashkim Kopliku, një shkrim i të cilit, ku kishte nota negative për Presidentin, duket se është kthyer një telash për të.
Kopliku botoi pak muaj më parë një shkrim në median e shkruar, ku përkufizonte kreun e shtetit Bujar Nishani si pasardhës i familjes komuniste që kontribuonte në zbatimin e luftës së klasave dhe i kërkonte që të rihapte dosjen e familjes së tij, t’i tregonte popullit të vërtetën. Kjo deklaratë e ish-zv.kryeministrit të qeverisë së Meksit, u konsiderua shpifje për figurën e prestidentit dhe ka qenë vetë kreu i shtetit Nishani, i cili e ka paditur në gjykatë Bashkim Koplikun.
Sot në seancën e parë, Kopliku e konsideroi të pakuptimtë denoncimin e presidentit të Republikës, duke theksuar se shkrimi nuk kishte aspak ngjyra denigrimi, por një të vërtetë që duhet ta dinë të gjithë.
Kopliku kërkoi që paditësi të tërheqë kërkesëpadinë ose gjykatësja të rrëzojë padinë, por kjo kërkesë u refuzua nga avokati që përfaqësonte presidentin si dhe nga gjykatësja.
Paditësit kërkuan sot përgënjeshtrim të materialit të cilin e quajtën dezinformues dhe të paguhet gjoba prej një mijë eurosh dëmshpërblim, për shkrimin me titull “Zoti president, heshtja është faj, kur ushqen gënjeshtrën”. Shkrimi është botuar nga gazeta “Bulevard” Durrës, që më 21.02.2017.





