Në ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, nëpërmjet një Marrëveshje tre palëshe mes Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hap dyert zyra e re operacionale kundër dhunës në familje, e cila do të koordinohet nga një ekip i përbërë nga tre ministri dhe do të shërbejë si një Njësi koordinimi që do kryejë shërbime pritje për qytetarët, të cilët referojnë probleme të dhunës, referim dhe adresim të saktë në institucionet përgjegjëse dhe mekanizmat koordinuese ndërsektoriale.

“As 16 ditë as 60 ditë dhe as 365 ditë sdo të mund të mjaftonin për ti dhënë fund përgjithmonë dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe vajzave, por si sot, çdo ditë e më shumë duhet të forcojmë cdo mekanizëm parandalues dhe mbrojtës. Pasi ne nuk duhet të lejojmë që historitë e grave si Sosja, Fildesi, Vera, Migena…e dhjetra grave që kanë humbur jetën për shkak të dhunës në familje, të përsëriten. Po për këtë, duhet të jemi të gjithë bashkë! Sikurse jemi sot, në këtë iniciativë të përbashkët midis Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që tregon përparësinë që ka lufta kundër dhunës në familje për Qeverinë Shqiptare”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu.

Sipas Ministres, kjo zyrë, do të jetë një derë e hapur e shtetit, një mekanizëm i ri, për të adresuar më mirë, më shpejt rastet e dhunës në familje dhe për ti ndjekur në çdo etapë. Është hapi i duhur në drejtim të aksesit për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës me  bazë gjinore dhe dhunës në familje, pranë organeve të drejtësisë.

Më herët, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hapi në Durrës, pranë një komuniteti të grave të dhunuara që sot janë histori suksesi, Fushatën Kombëtare të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës: “FUND DHUNËS NDAJ GRAVE DHE VAJZAVE!”

“Është koha të bëhemi bashkë, t’i themi ndal këtij fenomeni të patolerueshëm, të papranueshëm dhe që në fakt, bie ndesh me vlerat e shoqërive të civilizuara. Faktet janë të trishta. Vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2017,  u bënë mbi 3400 denoncime për dhunë në familje dhe u regjistruan 1940 kërkesa për urdhër mbrojtje. Për fat të keq, 12 persona, 8 prej të cilave gra, bashkëshorte, nëna..humbën jetën”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Rastet e grave të dëmtuara nga dhuna në familje dhe kërkesat për urdhër mbrojtje janë shtuar nga viti në vit.

“Por ky është një fenomen për të cilin nuk mund të flitet thjesht me statistika, sepse pas këtyre shifrave, qëndron një histori nëne, gruaje, që është dhunuar sistematikisht, pikërisht aty ku duhej të ishte streha e ngrohtë, në familje! Ndaj jemi sot këtu, për të rritur sensibilizimin e gjithë shoqërisë, për ti dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, për ti dhënë fund menjëherë dhunës në familje, për ta parandaluar këtë fenomen dhe njëherësh për të riintegruar viktimat e dhunës, në mënyrë që ti kthehen jetës normale, asaj që meriton cdo nënë, cdo vajzë, cdo grua”, tha Manastirliu.