Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kundër vajzave që mashtrohen nga djemtë e shiten si skllave seksi në Europë kundrejt përfitimeve të bandave është duke u intensifikuar në Durrës. Zëvendësministrja e Brendshme Elona Gjebrea, mori pjesë në aktivitetin një javor për sensibilizimin e denoncimin e fenomenit nga popullata në Durrës që po mbahet nga “URAT”, një rrjet organizatash i dedikuar luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, në bashkëpunim me Koordinatoren Kombëtare të Luftës Kundër Trafikimit.

Zëvendësministrja Gebrea përshëndeti iniciativën e këtij rrjeti organizatash që sjell për herë të parë në Shqipëri Iniciativën Globale të Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Trafikimit. Gjebrea nënvizoi se qeveria po punon në disa drejtime për të luftuar këtë fenomen, por edhe për të mbështetur viktimat e trafikut.

Edhe prefekti i Durrësit Roland Xhelili përshëndeti aktivitetin e zhvilluar.   

 Në Durrës stendat u vendosën para bashkisë së qytetit, ku një grup të rinjsh u kanë kërkuar qytetarëve nënshkrimin e peticionit kundër trafikut.

“Pasi ka përshkruar vende si SHBA, Kanada, Brazil, Mbretëri e Bashkuar etj., kjo fushatë sensibilizuese kundër trafikimit të njerëzve mbërrin në katër qytete të Shqipërisë. Aktiviteti lançohet së pari në qytetin bregdetar të Durrësit. Po kështu “UN Gift Box” u soll në gjuhën shqipe nga rrjeti “URAT” në Shqipëri me qëllim për të demaskuar premtimet mashtruese të përdorura nga trafikantë të qenieve njerëzore si dhe kushtet çnjerëzore të trafikimit dhe pasojat e tij për shqiptarët. 

K.H.