Të hënën më 23 shtator, në kuadër të Javës Europiane të Sportit, universiteti “Aleksandër Moisiu” në bashkëpunim me Federatën Shqiptare e Sportit Universitar (FSHSU) organizuan një tryezë të rrumbullakët ku u diskutua mbi ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e aktiviteteve fizike dhe për të inkurajuar një stil jetese të shëndetshëm.
Për zv. Rektorin Prof. As. Dr. Elton Noti, “UAMD i është bashkuar nismës së FSHSU-së për të promovuar te studentët jetën aktive, por edhe vlerat thelbësore si: respekti, fryma e grupit, përgjegjësia dhe këmbëngulja, etj.”
“Duam të stimulojmë jetën sportive përmes aktiviteteve brenda dhe jashtë universitetit dhe jemi të lumtur të bashkëpunojmë me FSHSU-në, por edhe me institucione të tjera publike dhe private. Qëllimi ynë final është inkurajimi i studentëve dhe stafit në aktivitete sportive”, u shpreh ai.
Presidenti i FSHSU-së, Besnik Veliu shprehu falënderime për rektoratin e Universitetit të Durrësit për bashkëpunimin e vazhdueshëm në nisma të tilla. “Jo rastësisht është menduar që Java Europiane e Sportit të fillojë nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe me këtë tryezë ndërgjegjësuese. Në kohën që gjithë Europa vuan nga një krizë pasiviteti, ne duam të promovojmë aktivitetin fizik dhe jetesën e shëndetshme, dhe të riafirmojmë rolin e sporteve për një stile jetese të balancuar”, theksoi ai.
Ndërkohë, Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në UAMD, Xhafer Rakipllari, njëherazi zgjedhur edhe si Ambasador i Javës Europiane të Sportit, tha se “vazhdimisht jemi duke punuar për të krijuar mundësi për t’iu lehtësuar të gjithëve të marrin pjesë në aktivitete sportive”. “Sporti nuk është vetëm jetesë e shëndetshme. Ai i ndihmon komunitetet të jenë të angazhuar dhe gjithëpërfshirës dhe i bashkon njerëzit pavarësisht fesë, etnisë apo statusit social”, tha ai.
Java Europiane ështe një lëvizje që ka nisur në vitin 2015 dhe ka inspiruar miliona njerëz në më shumë se 42 vende për të inkurajuar një shoqëri të shëndetshme, të lumtur dhe gjithëpërfshirëse. Nën moton “#BeActive”, Java ka ndihmuar në trajtimin e krizës së pasivitetit duke inkurajuar Evropianët të përqafojnë një mënyrë jetese të shëndetshme dhe aktive.





