Ka nisur numërimi i votave për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Momentalisht kandidati i LDK-së Përparim Rama po kryeson përballë Arben Vitias të Vetëvendosjes në garën për Prishtinën.
Në Prizren numërohen 48.73 për qind e votave, kryeson Totaj i PDK-së
Në Prizren janë numëruar 51.13 për qind e vendvotimeve. Nga votat e numëruara deri tash, Shaqir Totaj i PDK-së kryeson me 13.533 vota. Kurse Mytaher Haskukaj i Lëvizjes Vetëvendosje ka 10.847 vota. Deri tani janë numëruar 83.565 vota ose 48.73 për qind.
Numërohen rreth 10 mijë vota në Gjakovë, kryeson Gjini i AAK-së
Pas procesimit të 49 vendvotimeve, Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po kryeson në Komunën e Gjakovës me 7.571 vota apo 66.20 për qind. Kundërkandidatja e tij, Mimoza Kusari-Lila, deri më tani nga ky procesim i vendvotimeve ka marrë 3.865 vota apo 33.80 për qind.
Numërohen 51 për qind të votave në Prishtinë, kryeson Rama i LDK-së
Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës është duke kryesuar pas numërimit të 51 për qind të votave në Prishtinë. Ai ka marrë 51.27 për qind të rreth 40 mijë votave të numëruara. Arben Vitia ka 48.73 për qind të votave.
Numëron 43 për qind të votave në Gjilan, rezultat shumë i ngushtë
Janë numëruar mbi 17 mijë vota në Gjilan. Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike të Kosovës po kryeson me 50.19 për qind apo 8457 vota, ndërsa Alban Hyseni është i dyti me 49.81 për qind të votave apo 8392 vota.
Në Vushtrri numërohen gati 80 për qind e votave, kryeson PDK-jaNga numërimi i rreth 20 mijë votave, apo 80 për qind të votave në Komunën e Vushtrrisë, Partia Demokratike e Kosovës është duke udhëhequr me kandidatin Ferit Idrizi me 53.69 për qind të votave. Kryetari aktual, dhe kandidati i LDK-së për një tjetër mandat, Xhafer Tahiri, është prapa me 46.31 për qind të votave.
(19:10) Përfundon pa incidente raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, pritet të dalin rezultatet e para të votimeve
Ka përfunduar pa incidente procesi i votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, ku kutive iu drejtuan qytetarët e 21 komunave.
Mediat e Kosovës raportojnë se të gjitha qendrat e votimit që u hapën në orën 07:00 janë mbyllur në orën 19:00.
KQZ bëri me dije se pjesëmarrja ka qenë 38.48% apo 378 mijë e 730 qytetarë kanë votuar.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve të drejtë vote kishin 1 milion e 260 mijë e 571 qytetarë. Numri i qendrave të votimit ishte 575 kurse vendvotime ishin 1,638.
Në raundin e dytë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka garuar në 12 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka garuar në nëntë komuna: Prishtinë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Istog, Fushë Kosovë, Dargash, Podujevë dhe Junik.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka garuar në tetë komuna: Drenas, Kaçanik, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Prizren, Dragash dhe Klinë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka garuar në pesë komuna: Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik dhe Istog.
Ndërsa, partia NISMA Socialdemokrate ka garuar vetëm në Komunën e Malishevës. Pas pak do të dalin edhe rezultatet e para preliminare të këtyre zgjedhjeve.





