18 nentor 2013 – Në kuadër të aksionit “Të mbajmë pastër Tiranën!”, Bashkia e Tiranës ka nisur pastrimin e vendgrumbullimit të paligjshëm te inerteve në kryeqytet. Janë 10 pika të nxehta të identifikuara, ku ka nisur pastrimi. Gjatë muajit nëntor, i shpallur prej dy vitesh si muaji i pastrimit nga Bashkia e Tiranës, do të zhvendosen 200 metra kub inerte dhe hapësirat e zëna prej tyre do u kthehen qytetarëve. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo ka parë nga afër punën që po kryhet në një prej këtyre vendgrumbullimeve.
“Është kthyer në një traditë tashmë, që muaji nëntor të jetë muaji i pastrimit të thellë të bashkisë së Tiranës. Është një iniciativë që vijon prej dy vjetësh dhe sot jemi këtu për të njoftuar një aksion për pastrimin e 10 pikave të nxehta të mbetjeve inerte, të akumuluara prej shumë vitesh në bashkinë e Tiranës. Pikërisht në këtë pikë, brenda disa ditëve do të bëjmë të mundur eliminimin e 200 metra kub mbetje inerte dhe më pas sipërfaqja do të mbillet, do u kthehet banorëve në formën e një sheshi me lojëra dhe pushimi për fëmijët por kemi të identifikuara edhe 9 pika të tjera, aksioni për të cilat do të vazhdojë në ditët në vijim, deri në pastrimin e plotë të këtyre pikave inerte, të kthyera në problem, edhe pse përbëjnë rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Do të përmendja këtu rrugën “Haxhi Isuf Farka”, ”Osman Myderizi”, NSHRK, “Babë Rexha”, “Kongresi i Lushnjës”, rruga “Riza Cuka”, “Dritan Hoxha”, “Estref Frashëri”, rruga e Muzakëve dhe “Belul Hatibi” që është kjo pikë ku jemi ne sot. Dua të falënderoj në veçanti nënkontraktorët dhe kontraktorët e Bashkisë së Tiranës, të cilët i janë përgjigjur thirrjes sonë për ndihmë me mjete të rënda dhe kanë vënë në dispozicion të gjithë mjetet e tyre por edhe të gjithë instrumentet që ato kanë në këtë aksion shumë të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, për pastrimin dhe eliminimin e mbetjeve inerte”, u shpreh Bozdo.





