23 maj 2015 – Amfiteatri i Durrësit cilësuar si një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës në vend, pas shumë viteve që specialistët e trashëgimisë kulturore kërkonin prishjen e banesave që ndodhen mbi arenë, tashmë është në vëmendje për të zbuluar të plotë arenën e tij. Prishja e tre banesave që ndodhen mbi arenën e amfiteatrit ka nisur, ndërsa për këtë shpronësim qeveria ka akorduar një fond prej 46 milionë lekësh. Puna që ka nisur për prishjen e këtyre tre banesave është përkrahur nga specialistë të trashëgimisë kulturore, por sipas tyre kjo duhet të kishte ndodhur që para tre dekadash.

Arkeologu dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqo, ndërsa e përshëndet vendimin për prishjen e banesave të cilin e ka pohuar edhe Ministria e Kulturës bashkë me DRKK në Durrës, pohon se vëmendje për arenën e amfiteatrit në Durrës ka shumë vite që e ka kërkuar, por kjo kërkesë nuk ka pasur vëmendje nga institucionet.

“Është një gjë shumë e mirë që u mor vendimi për prishjen banesave mbi arenën e amfiteatrit, një gjë e cila duhet të kishte ndodhur shumë vite më parë. Unë vetë këtë e kam kërkuar që para 30 vitesh, që këto banesa të shembeshin, një kërkesë që ka ekzistuar dhe në planet arkeologjike shqiptare, është i vonuar ky vendim, por gjithsesi më vjen mirë që tashmë ka vëmendje nga institucionet”, pohon arkeologu i njohur Moikom Zeqo.

Në reagimin e tij arkeologu dhe studiuesi Zeqo shprehet se me prishjen e këtyre banesave do të dalë në dritë edhe ajo pjesë e mbuluar e amfiteatrit në Durrës, që sipas tij është një nga momentet më të vlerësuar të trashëgimisë kulturore jo vetëm në Shqipëri. “Kjo shembje e banesave bëhet për të dalë në dritë amfiteatri, ajo pjesë që ka qenë e mbuluar. Ju më pyesni nëse ndikon kjo prishje e banesave dhe në sezonin turistik meqë amfiteatri është në vëmendje të turistëve, për mua nuk ndikon aspak, nuk është shumë problem për prishjen e këtyre banesave këtë kohë”, pohon mes të tjerave në reagimin e tij arkeologu dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqo mbi vendimin që do të bëjë të mundur zbulimin e plotë të arenës së amfiteatrit të Durrësit. 

Puna me dy faza  

Fillimisht në amfiteatër do të prishen 3 objektet e para dhe në një fazë të dytë edhe 9 objektet e tjera, për të cilat ka një tjetër fond nga qeveria. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka inspektuar nga afër punën për arenën e amfiteatrit, që është e ndarë në dy faza. Në fjalën e saj ministrja Kumbaro ka pohuar se kjo është një fazë e rëndësishme për amfiteatrin. “Avancuam në një fazë të rëndësishme të amfiteatrit, për të cilin kishte kohë që flitej, por vite që nuk bëhej gjë, sepse duhej një vullnet i madh për ta çliruar amfiteatri nga ndërtesa që ndodhen brenda në arenë. Përdorim mjete manuale për të qenë të kujdesshëm në çdo hap që bëjmë”, pohon Kumbaro mbi vendimin që ka sjellë punën për të prishur banesat mbi amfiteatër, duke pohuar se do të procedohet për realizimin e fazës së dytë të projektit pasi të përfundojë sezoni turistik për të mos penguar vizitat në amfiteatër.

Banesat e ndërtuara dekada më pare mbi arenën e amfiteatrit antik, prej vitesh ishin bërë pengesë për zbulimin e plotë të tij. Me largimin e tyre, arena e amfiteatrit do të hapet plotësisht, duke u kthyer ndër sitet më atraktive për t’u vizituar.

Projekti do të kalojë nëpër dy faza. Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur dhjetra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970 të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike. Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ndërtuar në fillim të shekullit të I të erës se re gjatë sundimit të perandorit Trajan. Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali.

/SOT NEWS/