DURRES – Sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit nis procesi gjyqësor ndaj monstrës Shaban Norja, që rreth 3 muaj më parë vrau 18 vjeçaren Aishe Vata. Më 11 tetor të vitit që shkoi Norja vrau dhe më pas i preu kokën me sëpatë të dashurës së tij 3- muajshe shtatzënë.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Durrësit dje deklaruan se Norja rrezikon nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm. Dosja në Gjykatë mban numrin 924 dhe përbëhet nga tre fashikuj me 1026 faqe. Relatore e çështjes është Shpëtime Pitaku, ndërsa trupi gjykues do të kryesohet nga Ervin Metalla, i cili është dhe kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit.

Në dosjen “Norja” ka një numër të madh akt-ekspertizash të viktimës dhe të ekzekutorit. Mes provave të shumta të grumbulluara nga prokuroria e Durrësit janë dhe tabulatet e dy numrave celularë Vodafone Club, me të cilët komunikonin 80-vjeçari Shaban Norja dhe 18-vjeçarja Aishe Vata.

Nga të dhënat në dosje rezulton se gjatë periudhës shtator-tetor të vitit 2012 ka një numër shumë të madh thirrjesh telefonike mes viktimës dhe vrasësit, të cilat zgjasin nga 2 minuta deri në 35 minuta. 

Rreth orës 10:00, Shaban Norja pritet të lërë për pak kohë qelinë e paraburgimit dhe të shkojë në Gjykatë. Dosja “Norja” është një nga dosjet më voluminoze dhe deri tani janë parashikuar të thirren 17 dëshmitarë nga gjykata në proces.

Mësohet se në gjyq do të dëshmojnë të afërmit e viktimës; babai, Muhamet Vata; xhaxhai, Sulejman Vata; motra, Tefta Vata; njerka e 18-vjeçares, Refije Vata; si dhe persona të tjerë. 

Në dosjen që prokuroria e Durrësit i ka dërguar Gjykatës, ka një numër të madh akt-ekspertizash. Organi i akuzës ka përfshirë në dosje edhe aktekspertimin psikiatriko-ligjor të 80-vjeçarit, ku mjekët sqarojnë se në momentin e krimit makabër, Shaban Norja ka qenë i shëndetshëm mendërisht.